
Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, ka marrë pjesë në takimin e 14-të të Shefave të Mbrojtjes të Nismës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), që u mbajt sot në Tiranë.
Aty, Vergori, i ka informuar anëtarët e DECI-t për rolin e misionit në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
‘’Komandanti i KFOR-it prezantoi një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe të aktiviteteve të përditshme të misionit, duke theksuar se ato bazohen në prioritetet e tij të ripërtërira operacionale. Ai bëri të ditur se KFOR-i vazhdon të optimizojë pozicionimin e forcave të tij, me qëllim që të sigurojë se ato mbeten të përshtatshme për përmbushjen e misionit. Ai shtoi se ky proces është gradual dhe varet nga kushtet në terren, si dhe mund të kthehet prapa nëse zhvillimet e caktuara rrezikojnë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal’’, ka njoftuar KFOR.
Njoftimi i plotë:
Në takimin e 14-të të Shefave të Mbrojtjes të Nismës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), i mbajtur sot (20 nëntor 2026) në Tiranë të Shqipërisë, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Roberto Vergori, i informoi anëtarët e DECI-t për rolin e misionit në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Komandanti i KFOR-it prezantoi një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe të aktiviteteve të përditshme të misionit, duke theksuar se ato bazohen në prioritetet e tij të ripërtërira operacionale.
Ai bëri të ditur se KFOR-i vazhdon të optimizojë pozicionimin e forcave të tij, me qëllim që të sigurojë se ato mbeten të përshtatshme për përmbushjen e misionit. Ai shtoi se ky proces është gradual dhe varet nga kushtet në terren, si dhe mund të kthehet prapa nëse zhvillimet e caktuara rrezikojnë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
Gjeneralmajor Vergori ritheksoi se KFOR-i është i përqendruar plotësisht në zbatimin e mandatit të tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
Ai theksoi se misioni kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), të cilat veprojnë në kuadër të përgjegjësive të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
E themeluar në vitin 2012, nën udhëheqjen e Italisë, Nisma për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI) është një mekanizëm rajonal për bashkëpunim strategjik dhe ushtarak ndërmjet vendeve të rajonit të Adriatikut dhe Ballkanit Perëndimor.
Ajo ofron një platformë për diskutimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e qasjeve të përbashkëta në mbështetje të stabilitetit rajonal.
The post Komandanti i KFOR’it Vergori në Tiranë: Po vazhdojmë optimizimin e forcave, procesi mund të kthehet prapa nëse rrezikohet siguria appeared first on Gazeta Express.