João Félix e cilëson golin ndaj Al-Saddit si më të bukurin në karrierë, zbulon rolin që ka përkrah Ronaldos te Al-Nassr

Ylli i Al-Nassr, João Félix, ka zbuluar rolin që ka në skuadër përkrah bashkëkombësit dhe kapitenit të tij, Cristiano Ronaldo, pas fitores ndaj skuadrës nga Katari, Al-Sadd, në AFC Champions League Elite.

Al-Nassr triumfoi me rezultat 2-1 ndaj Al-Saddit, në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin “Al-Awwal Park” në Riad të Arabisë Saudite, e vlefshme për xhiron e pestë të fazës së ligës në garën më të rëndësishme kontinentale për klube në Azi.

Në deklaratat e tij për gazetën saudite “Al-Riyadiyah”, João Félix foli për bashkëpunimin me Cristiano Ronaldon dhe rolin që ka në skuadër.

“Roli im nuk ka ndryshuar nga sezoni i kaluar. Në çdo ndeshje luaj pranë Ronaldos”, deklaroi portugezi në konferencën për media pas ndeshjes.

Félix më pas shpjegoi më në detaje detyrat e tij në fushë dhe mënyrën se si bashkëpunon me pesë herë fituesin e Topit të Artë.

“Këtë vit më është dashur të përfshihem më shumë në ndërtimin e aksioneve dhe jam në gjendje ta bëj këtë. Më pas rikthehem në zonat pranë Ronaldos dhe mund të kombinojmë mes vete për të krijuar më shumë raste dhe rrezik për kundërshtarët. Në përgjithësi, roli im është pothuajse i njëjtë si vitin e kaluar”, u shpreh ai.

Duke folur për ndeshjen ndaj Al-Saddit, sulmuesi portugez vlerësoi paraqitjen e skuadrës, veçanërisht në pjesën e parë.

“Mendoj se luajtëm mirë, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u ngutëm për ta shënuar golin e dytë, kur duhej të qëndronim të qetë. Megjithatë, në përgjithësi zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer dhe jemi të lumtur me fitoren”, deklaroi Félix.

Ai pati fjalë të mëdha edhe për bashkëlojtarët, duke theksuar cilësinë dhe mirëkuptimin që ekziston brenda grupit.

“Kemi një grup të mirë me shumë cilësi. E kuptojmë njëri-tjetrin, kemi luajtur në nivel të lartë gjatë gjithë karrierës sonë dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë e çfarë jo, varësisht nga situata. Krijojmë shumë situata së bashku”, theksoi portugezi.

Më pas, ai përmendi edhe futbollistët me të cilët ka krijuar një bashkëpunim të veçantë në fushë.

“(Sadio) Mane, (Cristiano) Ronaldo, Angelo dhe unë po luajmë së bashku për sezonin e dytë dhe tashmë i kuptojmë mirë lëvizjet e njëri-tjetrit. Kjo është e rëndësishme për krijimin e rasteve dhe shënimin e golave”, shtoi ai.

Në fund, Félix u ndal te goli spektakolar që realizoi ndaj Al-Saddit, duke e cilësuar si më të bukurin e karrierës së tij.

“Goli im i sotëm është më i bukuri që kam shënuar. Ndoshta është më i miri”, tha ai.

Goli që mund të garojë për çmimin Puskás

Al Nassr Vs Goa: Ronaldo Tak Main, The Global Club Pesta 4-0

sport.detik.com

Félix realizoi golin e dytë të Al-Nassr në minutën e 52-të, pas një pasimi të gjatë që e pranoi në skajin e zonës së penalltisë, me shpinë nga porta.

Portugezi u ngrit në ajër dhe goditi topin me një rroveshatë spektakolare, duke e dërguar atë në rrjetën e portierit Meshaal Barsham, i cili nuk kishte asnjë mundësi për ta ndalur.

Ky realizim riktheu menjëherë në kujtesë golat e Cristiano Ronaldos, bashkëkombësit dhe kapitenit të tij te Al-Nassr, i cili kishte shënuar në të njëjtën mënyrë kundër Al-Khaleejit në kampionatin saudit sezonin e kaluar.

Ronaldo e ka realizuar një gol të tillë edhe me fanellën e Real Madridit kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve në vitin 2018, si dhe me Portugalinë ndaj Polonisë në Ligën e Kombeve të UEFA-s në vitin 2025.

Ndërkohë, goli i Félix tashmë është përmendur nga vëzhgues të futbollit si një kandidat potencial për çmimin Puskás të FIFA-s, i cili i ndahet autorit të golit më të bukur të vitit.

Portugezi po kalon një periudhë fantastike që nga fillimi i këtij sezoni. Ky ishte goli i tij i tetë në 16 paraqitje në të gjitha garat me Al-Nassr, ndërsa ka regjistruar edhe 11 asistime.

Me këtë fitore, Al-Nassr u ngjit në vendin e pestë të grupit perëndimor të AFC Champions League Elite, me nëntë pikë të grumbulluara. Skuadra saudite ka ende për ta zhvilluar edhe ndeshjen e shtyrë kundër ekipit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Al-Wasl./GazetaExpress/

The post João Félix e cilëson golin ndaj Al-Saddit si më të bukurin në karrierë, zbulon rolin që ka përkrah Ronaldos te Al-Nassr appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Vendimi zyrtar i FA-së i jep një lajm të mirë Manchester Unitedit pas polemikave në ndeshjen me Liverpoolin

Manchester United ka arritur të anulojë pezullimin prej një ndeshjeje të shqiptuar ndaj mbrojtësit të saj francez, Leny Yoro, pasi ankesa e klubit për kartonin e kuq të marrë në ndeshjen kundër Liverpoolit është pranuar. Si rrjedhojë, futbollisti do të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Brentfordit në Premierligë të …

News
Ulen çmimet e derivateve të naftës në Zvicër

Lehtësimi i tensioneve në tregjet ndërkombëtare të naftës bruto po ndikon në rënien e çmimeve të karburanteve. Çmimet e derivateve të naftës në Zvicër po vazhdojnë të bien. Sipas të dhënave më të fundit të Klubit Turistik Zviceran (TCS), të martën një litër benzinë pa plumb 95 kushtonte mesatarisht 1.83 …

News
Nga 0-1 në 5-1, Mourinho ‘përmbys’ gjithçka dhe Reali e shkatërron PSV-në

Real Madridi ka regjistruar një fitore spektakolare 5-1 ndaj PSV Eindhovenit, në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë dhe duke siguruar fitoren e pestë radhazi në këtë garë. Kampioni holandez e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi të mira shënimi, por nuk arriti …