45% e punëtorëve në Evropë përballen me rreziqe për shëndetin mendor në vendin e punës

Pothuajse gjysma e punëtorëve në Evropë përballen me rreziqe për shëndetin mendor në vendin e punës, ndërsa frika për të folur hapur për këto probleme vazhdon të pengojë marrjen e masave parandaluese.

Agjencia Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (EU-OSHA) thekson se trajtimi i këtij problemi duhet të nisë me thyerjen e tabusë dhe identifikimin e faktorëve që shkaktojnë stres, shkruan Gazeta Shneta.

Sipas të dhënave të EU-OSHA, 45 për qind e punëtorëve përballen me rreziqe për shëndetin mendor në punë.

Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në mirëqenien e tyre janë orët e gjata të punës, ngarkesa e lartë, presioni për të përmbushur afatet dhe detyrat emocionalisht të vështira.

William Cockburn, drejtor ekzekutiv i EU-OSHA-s, ka thënë për Euronews se hezitimi për të folur hapur për shëndetin mendor mbetet një nga pengesat kryesore për ndërmarrjen e masave konkrete.

Sipas tij, problemet e shëndetit mendor në vendin e punës duhet të trajtohen me të njëjtën seriozitet si problemet e shëndetit fizik.

Rreth 44 për qind e punëtorëve raportojnë presion të madh kohor ose mbingarkesë në punë. Ndërkohë, sipas Institutit Evropian të Sindikatave (ETUI), depresioni i lidhur me punën i kushton Bashkimit Evropian më shumë se 100 miliardë euro në vit, duke përfshirë mungesat në punë, uljen e produktivitetit, shpenzimet shëndetësore dhe kostot e tjera shoqërore.

Punëtorët duhet të përfshihen në parandalimin e stresit

Ekspertët theksojnë se parandalimi i problemeve të shëndetit mendor nuk duhet të mbështetet vetëm te aftësia e individit për të përballuar stresin, por edhe te kushtet dhe organizimi i punës.

Esther Lynch, sekretare e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), ka argumentuar se punëdhënësit duhet t’i identifikojnë rreziqet dhe të ndërmarrin masa parandaluese përpara se ato të shkaktojnë dëme te punëtorët.

Megjithatë, sipas EU-OSHA-s, vetëm 45 për qind e punëtorëve thonë se konsultohen për aspektet stresuese të punës së tyre.

Cockburn ka theksuar se përfshirja e punëtorëve në identifikimin e rreziqeve dhe në vendimmarrje është jo vetëm detyrim ligjor sipas legjislacionit evropian, por edhe një faktor i rëndësishëm për suksesin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

BE-ja nis fushatën për vende më të shëndetshme të punës

Komisioni Evropian ka nisur fushatën “Healthy Workplaces”, e cila synon t’i ndihmojë punëdhënësit të parandalojnë, vlerësojnë dhe menaxhojnë rreziqet psikosociale në vendin e punës.

Nisma synon, ndër të tjera, të nxisë një kulturë ku punëtorët mund të flasin hapur për vështirësitë që përjetojnë, pa frikën e stigmatizimit.

Roxana Mînzatu, zëvendëspresidente ekzekutive e Komisionit Evropian për të drejtat sociale dhe punësimin, ka deklaruar se investimi në mjedise të shëndetshme pune ndihmon në përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, uljen e mungesave dhe largimeve nga puna, si dhe rritjen e performancës.

Sipas saj, krijimi i kushteve më të mira të punës sjell përfitime si për punëtorët dhe punëdhënësit, ashtu edhe për sistemet shëndetësore.

The post 45% e punëtorëve në Evropë përballen me rreziqe për shëndetin mendor në vendin e punës appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Kompania kineze Huawei shpallet fajtore për mashtrim e komplot për vjedhjen e sekreteve tregtare, “rrezikoi sigurinë kombëtare të SHBA-së”

Prodhuesi kinez i pajisjeve të telekomunikacionit Huawei u shpall fajtor të martën nga një juri në qytetin e Nju Jorkut, në kuadër të një procesi të gjerë penal në SHBA, nën akuzat se kishte mashtruar bankat lidhur me biznesin e tij në Iran dhe kishte vjedhur sekrete tregtare nga kompani …

News
Gratë shqiptare punojnë mbi 5 orë në ditë pa pagesë, burrat vetëm 50 minuta

Mbi pesë orë çdo ditë të shpenzuara për gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve, pa asnjë shpërblim financiar. Kjo është mesatarja e punës së papaguar të grave në Shqipëri, ndërsa burrat u kushtojnë të njëjtave përgjegjësi vetëm rreth 50 minuta në ditë. Raporti i UN Women, “Vlerësimi i …

News
Zelensky i përgjigjet propozimit të Lukashenkos për ta shoqëruar në Moskë për bisedimet: Çfarë jam unë, një valixhe?

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu përgjigj propozimit të presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, për ta shoqëruar atë në Moskë për negociata me Vladimir Putin, duke marrë përsipër personalisht garantimin e sigurisë së tij. Zelensky e hodhi poshtë propozimin, duke theksuar se, për sa kohë që lufta vazhdon, një takim …