
Prodhuesi kinez i pajisjeve të telekomunikacionit Huawei u shpall fajtor të martën nga një juri në qytetin e Nju Jorkut, në kuadër të një procesi të gjerë penal në SHBA, nën akuzat se kishte mashtruar bankat lidhur me biznesin e tij në Iran dhe kishte vjedhur sekrete tregtare nga kompani amerikane.
Vendimi u mor në një çështje penale që nisi në vitin 2018. Një vit më vonë, qeveria amerikane e vendosi Huawei-n në listën e zezë tregtare, duke ia kufizuar qasjen në teknologjinë amerikane, mes shqetësimeve të SHBA-së se kompania përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.
Juria në gjykatën federale në Bruklin e shpalli Huawei-n fajtore për 10 nga 12 akuzat penale me të cilat përballej kompania, përfshirë mashtrimin bankar, mashtrimin përmes komunikimeve elektronike, shkeljen e sanksioneve dhe komplotin për vjedhjen e sekreteve tregtare. Juria e shpalli Huawei-n të pafajshme për akuzat për komplot për pengimin e drejtësisë dhe komplot për veprimtari kriminale të organizuar, një akuzë sipas së cilës kompania kishte vepruar si ndërmarrje kriminale.
Procesi gjyqësor zgjati më shumë se dy muaj. Prokurorët thirrën mbi 60 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja thirri 15. Ende nuk është e qartë se çfarë dënimesh do të përballet Huawei kur gjyqtarja federale amerikane Ann Donnelly të shqiptojë vendimin më 14 shtator 2027.
Artikujt e Reuters-it të publikuar në vitet 2012 dhe 2013 ndihmuan në zbulimin e aktiviteteve të Huawei-t në Iran dhe u diskutuan gjatë procesit gjyqësor, shkruan CNN.
“Pasi mediat filluan të vinin në pikëpyetje operacionet e Huawei-t në Iran, këtë e bënë edhe bankat e Huawei-t”, u tha prokurorja Meredith Arfa anëtarëve të jurisë gjatë fjalës përmbyllëse në këtë çështje javën e kaluar.
Brian Heberlig, avokat i Huawei-t, tha se kompania ishte e zhgënjyer nga vendimet dënuese, por shtoi se shpallja e pafajshme për akuzën e komplotit për veprimtari kriminale të organizuar e kishte vërtetuar “kulturën e saj të respektimit të ligjit në mirëbesim”.
“Presim që të paraqesim ankesë”, u tha Heberlig gazetarëve.
Prokurori amerikan Joseph Nocella tha në një deklaratë: “Pak krime janë aq serioze sa modeli i Huawei-t, i cili për dekada ka rrezikuar sigurinë kombëtare të SHBA-së, ka shkelur integritetin e tregtisë amerikane dhe ka penguar zbatimin e ligjeve të SHBA-së”. Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
I pyetur se sa mund të detyrohet të paguajë kompania në gjoba, Heberlig tha se ishte ende herët për të komentuar, por shtoi se shpallja e pafajshme për akuzën e komplotit për veprimtari kriminale të organizuar mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.
Ekspertët kanë thënë se kjo çështje nuk e ka dëmtuar biznesin e Huawei-t, pasi kompania e ka diversifikuar veprimtarinë dhe është shndërruar në një prej aktorëve kryesorë në përpjekjet e Kinës për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Vajza e themeluesit u ndalua
Në dhjetor të vitit 2018, Meng Wanzhou, drejtoresha financiare e Huawei-t dhe vajza e themeluesit të kompanisë, u ndalua në Kanada me urdhër të SHBA-së, duke shkaktuar një krizë diplomatike që përfshiu Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Kanadanë.
Meng ishte akuzuar në fshehtësi në SHBA për mashtrimin e një bankieri të HSBC-së lidhur me aktivitetet e Huawei-t në Iran, në mënyrë që kompania të mund të transferonte dollarë drejt dhe nga Irani, në shkelje të sanksioneve amerikane. Meng luftoi kundër ekstradimit në SHBA për gati tre vjet, përpara se të arrinte një marrëveshje për shtyrjen e ndjekjes penale dhe të kthehej me avion në Kinë, ku u prit si heroinë. Akuzat kundër saj u rrëzuan.
Meng nuk dëshmoi gjatë procesit gjyqësor, ndonëse dëshmoi një bankier i HSBC-së me të cilin ajo ishte takuar në vitin 2013.
Në aktakuzën e vitit 2018 pretendohej se Huawei kishte mashtruar HSBC-në, Standard Chartered dhe BNP Paribas lidhur me marrëdhëniet e saj tregtare në Iran. Prokurorët shtuan akuza të reja në vitin 2020, përfshirë pretendimet se Huawei kishte bashkëpunuar për të vjedhur sekrete tregtare nga kompani amerikane të teknologjisë gjatë një periudhe prej dy dekadash.
Provat e prokurorisë
Gjatë procesit gjyqësor, prokurorët u përpoqën të dëshmonin se Huawei kishte vjedhur kodin burimor të kompanisë Cisco Systems për ruterët e saj, kishte vjedhur teknologjinë e antenave të kompanisë së telekomunikacionit pa tela Quintel dhe kishte angazhuar një profesor për të siguruar qasje në një pllakë elektronike të zhvilluar nga kompania e gjysmëpërçuesve CNEX.
Anëtarët e jurisë panë një video, e cila sipas prokurorëve tregonte një punonjës të Huawei-t duke futur fshehurazi në çantën e shpinës një pjesë të një roboti testues të T-Mobile, si dhe dëgjuan për një inxhinier të Huawei-t që kishte hyrë fshehurazi në stendën e Fujitsu-t në një panair tregtar për të fotografuar një pajisje.
Prokurorët u paraqitën anëtarëve të jurisë një deklaratë të bashkëngjitur marrëveshjes për shtyrjen e ndjekjes penale të Meng-ut, në të cilën ajo pranonte se kompania kishte zhvilluar në mënyrë të paligjshme veprimtari biznesore në Iran.
Mbrojtja argumentoi se HSBC-ja dhe bankat e tjera ishin në dijeni të aktiviteteve të Huawei-t në Iran dhe po konkurronin për të siguruar biznesin e kompanisë.
Gjatë fjalës së tij përmbyllëse, Heberlig i akuzoi prokurorët se kishin përzgjedhur me kujdes një grusht incidentesh të palidhura mes vete për të mbështetur pretendimin e tyre për një komplot 20-vjeçar. Heberlig tha se Huawei kishte pasur sukses falë “punës së palodhur, inovacionit dhe investimeve në kërkim dhe zhvillim”.
Kompania ka më shumë se 200 mijë punonjës dhe operon në rreth 170 shtete.
The post Kompania kineze Huawei shpallet fajtore për mashtrim e komplot për vjedhjen e sekreteve tregtare, “rrezikoi sigurinë kombëtare të SHBA-së” appeared first on Gazeta Express.