
Cesc Fabregas e ka cilësuar Nico Pazin si një “kombinim të mrekullueshëm” të një futbollisti, ndërsa trajneri pranon se lojtarët e rinj “nuk e shohin Comon si pikën më të lartë të karrierës së tyre, pasi duan të luajnë për Manchester Cityn ose Juventusin”.
22-vjeçari është produkt i akademisë së Real Madridit dhe ka shkëlqyer gjatë marrëveshjes së bashkëpronësisë me Comon.
Kjo bëri që klubi i Serie A të paguante 60 milionë euro gjatë verës për të blerë 50 për qindëshin tjetër të kartonit të tij, duke i dhënë Real Madridit mundësinë për ta rikthyer në qershor të vitit 2027 për 80 milionë euro.
“Nico është fizik dhe talent, vizion dhe mentalitet”, tha Fabregas në një konferencë për media sot.
“Ai është një kombinim i mrekullueshëm. Nëna dhe babai i tij kanë bërë një punë të shkëlqyer. Unë kam luajtur në pozitën e tij, prandaj më pëlqen të bisedoj me të dhe të zbuloj nëse i sheh të njëjtat gjëra si unë. Ndonjëherë mendoj se lojtarët as nuk kanë nevojë të trajnohen për lëvizjet apo kontrollin e topit, pasi gjithçka ka të bëjë më shumë me taktikat. Gjëja më e bukur te Nico Pazi është se ai nuk mendon për këtë, thjesht i bën gjërat e duhura”, shtoi ai.
Gjatë muajve të fundit ka pasur raportime të shumta për një garë të mundshme mes klubeve për transferimin e Nico Pazit gjatë verës, përfshirë Arsenal, Manchester United dhe skuadra të tjera.
Fabregas e shfrytëzoi këtë rast për të folur rreth metodave moderne të trajningut dhe rrezikut që ato mund të kufizojnë talentin e futbollistëve.
“Në ditët e sotme rrezikojmë të krijojmë robotë, gjë që i ndihmon një lloji të caktuar lojtarësh. Megjithatë, te Nico Paz, fakti që ai mund të bëjë zgjedhjen e duhur për të fituar ose për të bërë diferencën, është diçka që ndihmon shumë. Kjo nuk është falë punës sime. Ne vetëm jemi përpjekur ta shtyjmë përpara sa i përket mentalitetit dhe qëndrueshmërisë, por të kesh një numër 10 që mbrohet si ai, apo një numër 9 si Tasos Douvikas që mund ta ndihmojë mbrojtjen, është diçka e veçantë. Jemi shumë të lumtur me Nico Pazin dhe të gjitha meritat i takojnë atij”, tha ai.
Fabregas ka arritur të zhvillojë shumë futbollistë të rinj në skuadrën e Comos, të cilët në klube të tjera do ta kishin të vështirë të gjenin hapësirë për të luajtur.
Në vend të kësaj, ata po aktivizohen rregullisht në Serie A dhe Ligën e Kampionëve, duke fituar përvojë të çmuar.
“Një lojtar i ri është si një sfungjer, ai përthith njohuri”, shtoi trajneri.
“Como nuk është pika më e lartë e karrierës së tyre. Ata duan të shkojnë te Manchester City ose Juventus. Ata dëgjojnë, gjithmonë kërkojnë hapësira, janë shumë intuitivë dhe bëjnë shumë pyetje. Këtu kemi një qasje serioze dhe profesionale, edhe kur bëhet fjalë për lojtarë të rinj. Kur ata të jenë gati të fluturojnë dhe Como të mos jetë më pjesë e planeve të tyre, atëherë do t’u lejohet të largohen dhe ne do të transferojmë dikë tjetër”, e mbylli ai./GazetaExpress/
The post Fabregasi për lojtarët e Comos: Këtu nuk është kulmi i tyre, duan të shkojnë te City e Juventusi appeared first on Gazeta Express.