Fenomeni i ‘çuditshëm’ te Real Madridi, 40% e fitoreve vijnë pas minutës së 85-të

Përmbysjet janë pjesë e ADN-së së Real Madridit dhe tifozët e klubit kanë një bindje të palëkundur se një gol në momentin e duhur mund ta shpëtojë edhe një ndeshje të dobët.

Pikërisht për këtë arsye, zhgënjimi është edhe më i madh kur përmbysjet në të cilat të gjithë besojnë nuk ndodhin.

Sipas mediumit “Sport”, gjashtë nga 15 fitoret e Real Madridit këtë sezon janë vendosur nga minuta e 85-të e tutje.

Në katër prej këtyre ndeshjeve, golin e fitores e ka shënuar një futbollist që është inkuadruar nga banka rezervë. Në dy rastet e tjera, edhe asistimi vendimtar ka ardhur nga lojtarët rezervë.

Në ndeshjen ndaj Celta Vigos, José Mourinho i hodhi në fushë të gjitha armët sulmuese që kishte në dispozicion. Kur rezultati ishte 1-1 në minutën e 79-të, ai vendosi ta zëvendësonte Camavingan dhe në të njëjtën kohë inkuadroi Mbappén, Viníciusin, Endrickun dhe Carlos Espí.

I fundit prej tyre që u inkuadrua ishte edhe ai që vendosi ndeshjen. Gjashtë minuta më vonë, Radu priti goditjen me kokë të Espí pas një krosimi të Viníciusit, por sulmuesi reagoi më shpejt se të gjithë në topin e kthyer dhe e dërgoi atë në rrjetë.

Pak futbollistë e kuptojnë më mirë rëndësinë e minutave të fundit. Ish-sulmuesi i Levantes ka shënuar katër gola në vetëm 63 minuta me fanellën e Real Madridit. Kjo nënkupton një gol çdo 15 minuta e 45 sekonda, një statistikë që do të jetë vështirë të ruhet edhe për të.

Deri të shtunën e kaluar, Madridi i kishte rezervuar këto përfundime dramatike kryesisht për ndeshjet si mysafir. Pas pushimit ndërkombëtar, varësia nga zgjidhjet e minutave të fundit është shfaqur edhe në “Santiago Bernabéu”, ku më parë skuadra kishte vendosur shumë ndeshje me më tepër autoritet dhe kontroll.

Pesë ndeshjet e mëparshme ku Madridi kishte siguruar fitore në këtë mënyrë ishin ato ndaj Espanyolit, Elches, Romës, Barcelonës dhe AEK Athinës.

Skuadra e Mourinhos ka fituar 15 nga 17 ndeshjet zyrtare të zhvilluara këtë sezon: 11 në La Liga dhe katër në Ligën e Kampionëve. Në gjashtë prej këtyre fitoreve, ose në 40 për qind të rasteve, goli vendimtar është shënuar në minutën e 85-të ose më vonë.

Espí e shënoi golin e tij të parë pikërisht në ditën kur debutoi me ekipin e parë. Në stadiumin “Cornellà-El Prat”, në minutën e 90-të, ai përfitoi nga një top që mbrojtja e Espanyolit e largoi pas aksionit të Mbappés dhe e dërgoi në rrjetë.

Në Elche, Espí u bë sërish shpëtimtar i Real Madridit. Madrilenët kishin shkuar në pushim me epërsi 2-0, por vendasit arritën të barazonin në minutën e 83-të. Këtë herë ishte vetë Mbappé ai që e shërbeu sulmuesin, i cili shënoi në minutën e 91-të.

Goli ndaj Celta Vigos e çoi Espí në kuotën e tri realizimeve në La Liga dhe të tria kanë qenë vendimtare për t’i shndërruar barazimet në fitore. Nga 33 pikët që ka grumbulluar Real Madridi, gjashtë prej tyre mbajnë firmën e tij.

Në Romë, Mourinho madje e kishte lënë në bankën rezervë futbollistin që më vonë do të ishte protagonist i tri goditjeve nga këndi gjatë përmbysjes.

Kur Real Madridi ishte në disavantazh 1-3, Arda Güler e gjeti Endrickun me një krosim, ndërsa Espí shfrytëzoi topin e kthyer nga portieri Gollini. Në aksionin e golit të radhës, goditja me kokë e brazilianit përfundoi drejtpërdrejt në rrjetë.

Edhe krosimi nga i cili Rüdiger shënoi për rezultatin 4-3 në minutën e 90-të erdhi nga këmbët e futbollistit turk.

Të tri goditjet nga këndi kishin të njëjtën firmë, megjithëse UEFA ia regjistroi Gülerit vetëm dy asistime. Güler, Endrick dhe Espí e kishin nisur atë mbrëmje nga banka rezervë, së bashku me Mourinhon.

Në “Camp Nou”, vendimtare nuk ishte një zëvendësim, por një pritje e portierit. Lunin ndali goditjen me kokë të Gerard Martín, e cila mund t’i jepte Barcelonës epërsinë.

Mourinho ndërhyri në minutën e 80-të, duke e inkuadruar Camavingan në vend të Bernardo Silvës. Shtatë minuta më vonë, francezi fitoi duelin e shpejtësisë ndaj Cubarsít dhe pasoi te Mbappé, i cili shënoi për rezultatin 2-1.

Në Athinë, futbollisti që Mourinho e kishte ruajtur në bankën rezervë ishte Fede Valverde. Uruguaiani u inkuadrua në minutën e 67-të dhe, pasi AEK Athina kishte kaluar dy herë në epërsi, ai e vendosi ndeshjen me një goditje të fuqishme me të djathtën nga jashtë zonës në minutën e 92-të.

Nga gjashtë fitoret e vendosura në minutat e fundit, Espí ka kontribuar me tri gola, ndërsa Valverde me një. Në dy rastet e tjera, Güler dhe Camavinga kanë dhënë asistimet vendimtare.

Në dy ndeshje të tjera, madrilenëve u është dashur ta përcjellin me kujdes orën deri në fund.

Kundër Villarrealit, Diomande shënoi në minutën e 62-të, ndërsa kartoni i kuq i Vinícius Júnior e detyroi Real Madridin ta mbronte epërsinë 1-0 me dhjetë futbollistë.

Ndërkohë, ndaj Interit, Madridi kishte krijuar epërsi 2-0 që në minutën e 23-të. Megjithatë, Carlos Augusto shënoi në minutën e 76-të, duke e mbajtur të hapur ndeshjen e parë evropiane të madrilenëve deri në vërshëllimën e fundit.

Tetë nga 15 fitoret e Mourinhos janë arritur me vetëm një gol diferencë.

Futbollistët e inkuadruar nga banka rezervë kanë shënuar nëntë nga 46 golat zyrtarë të Real Madridit këtë sezon. Pra, pothuajse një në çdo pesë gola vjen nga lojtarët rezervë.

Pesë prej tyre janë shënuar në La Liga. Tri golave të Espí i shtohet edhe realizimi i Gülerit ndaj Malagas, që vulosi fitoren 4-0, si dhe goli i Rüdigerit në humbjen në derbin e Madridit.

Në Ligën e Kampionëve, futbollistët rezervë kanë shënuar katër gola në katër ndeshje, secilin nga një lojtar i ndryshëm: Espí dhe Endrick ndaj Romës, Yan Diomande kundër Leipzigut dhe Valverde në transfertën ndaj AEK Athinës.

Në La Liga, vetëm Alavés dhe Sevilla, me nga gjashtë gola, kanë shënuar më shumë se Real Madridi përmes futbollistëve të inkuadruar nga banka rezervë.

Madrilenët janë në kuotën e pesë golave, njëjtë sikurse Barcelona dhe Villarreali.

Në pesë ligat kryesore të Evropës, Paris Saint-Germaini dhe Leipzigu kryesojnë këtë statistikë me nga nëntë gola të shënuar nga rezervistët.

Sa i përket Ligës së Kampionëve, vetëm Como, lojtarët rezervë të të cilit kanë shënuar pesë gola, ka bërë më mirë se Reali me katër realizime. Barcelona, Arsenali dhe Liverpooli kanë nga dy gola të tillë.

Megjithatë, nëse llogariten së bashku golat dhe asistimet, Mourinho del në krye. Futbollistët e tij të inkuadruar nga banka rezervë kanë realizuar katër gola dhe kanë dhënë pesë asistime në katër ndeshje evropiane./GazetaExpress/

The post Fenomeni i ‘çuditshëm’ te Real Madridi, 40% e fitoreve vijnë pas minutës së 85-të appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Tetë gola të shënuar – rikthim i çmendur i Atalantas, Interit s’i mjafton “hat-tricku” i Pios

Atalanta dhe Interi kanë dhuruar një ndeshje spektakolare, duke barazuar 4-4 në një përballje dramatike në Serie A. Interi kaloi në epërsi në minutën e 16-të me Francesco Pio Espositon, i cili realizoi edhe golin e dytë në fund të pjesës së parë, pas një goditjeje nga këndi. Atalanta reagoi …

News
Shpërthimi në Zvicër, shqiptari rrëfen tmerrin: U ndjeva sikur isha kthyer në luftën e Kosovës, dëgjova tri herë thirrje për ndihmë

Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka tronditur banorët e një pallati në Menziken, në Zvicër, mbrëmjen e së shtunës. Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, ndërsa një person pësoi djegie të konsiderueshme dhe u transportua me helikopter drejt spitalit. Sipas dëshmive të banorëve të publikuara nga media …

News
Dortmundi ‘detyrohet’ të reagojë rreth festimit interesant të Felix Nmechas

Borussia Dortmund vazhdoi formën e mirë në Bundesliga, duke siguruar fitore 1-0 ndaj Borussia Mönchengladbachut dhe duke e thelluar në dy pikë epërsinë në krye të tabelës ndaj Bayern Munichut. Rivalët e tyre në garën për titull, Bayern Munichu, humbën terren të premten mbrëma, pasi barazuan 1-1 me Kolnin. Për …