
Mundësitë që Manchester Unitedi të bie nga Premierliga mund të jenë shumë më të mëdha sesa mendohej, pasi një statistikë shqetësuese ka dalë në pah.
Epoka e Mauricio Pochettinos si trajner i Manchester Unitedit nisi në mënyrën më të keqe të mundshme të dielën, pasi skuadra e tij pësoi një humbje të thellë 4-0 nga rivali historik, Liverpool, në “Anfield”.
Ky rezultat e lë Unitedin në vendin e 19-të në Premierligë, me vetëm tetë pikë dhe një fitore të regjistruar deri më tani. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merren parasysh statistikat e Tottenham Hotspurit, i cili sezonin e kaluar mezi arriti t’i shpëtonte rënies nga elita.
Tottenham pati një nga sezonet më të dobëta në historinë e klubeve të ashtuquajtura “Big Six”, duke e përfunduar kampionatin në vendin e 17-të, vetëm dy pikë larg zonës së rënies.
Skuadra londineze siguroi mbijetesën vetëm falë fitores në ndeshjen e fundit të sezonit.
Nisja katastrofale e Manchester Unitedit në këtë edicion ka bërë që menjëherë të krijohen krahasime me Tottenhamin e sezonit 2025/26.
Shumë tifozë kanë rikujtuar se paraqitjet e dobëta të skuadrës londineze sezonin e kaluar dëshmuan se edhe një klub me përmasat e Unitedit mund të përfundojë në Championship.
Edhe pse tifozët e Unitedit mund ta hedhin poshtë një mundësi të tillë, statistikat sugjerojnë se situata mund të jetë edhe më e rëndë nga sa duket.
Siç ka vënë në dukje Mark Ogden, në të njëjtën fazë të sezonit të kaluar, pas 11 ndeshjeve të zhvilluara, Tottenhami kishte 18 pikë, me pesë fitore, tri barazime dhe tri humbje.
Gjatë kësaj periudhe, Tottenhami ishte përballur me Manchester Cityn, Manchester Unitedin, Chelsean dhe Aston Villan, duke marrë katër pikë nga ndeshjet kundër Cityt dhe Unitedit.
Ky bilanc e poziciononte skuadrën në vendin e pestë në Premier League, me goldallim +9. Megjithatë, forma e dobët në pjesën e mëvonshme të sezonit bëri që Tottenhami të rrezikonte seriozisht rënien nga elita.
Pra, pavarësisht një fillimi të mirë të kampionatit, që i krijoi një bazë të fortë për vazhdimin e sezonit, rezultatet negative në fund e çuan skuadrën shumë pranë rënies.
Në anën tjetër, Manchester United ka regjistruar deri më tani vetëm një fitore, në ndeshjen si vendas kundër Ipswich Townit, ndërsa nga përballjet me Manchester Cityn, Chelsean, Liverpoolin dhe Tottenhamin ka marrë vetëm një pikë.
Kjo tregon se Unitedi tashmë po kalon një periudhë me rezultate të nivelit të skuadrave që luftojnë për mbijetesë dhe do t’i duhet një seri e jashtëzakonshme ndeshjesh, e ngjashme me atë që pati Tottenhami në fillim të sezonit të kaluar, për të shpëtuar.
Pyetja kryesore tani është se kur mund ta nisë Unitedi një seri të tillë rezultatesh?
Në pesë ndeshjet e ardhshme, skuadra e Pochettinos do të përballet me Brentfordin, Newcastle Unitedin, Coventryn, Crystal Palace dhe Arsenalin. Tri prej këtyre takimeve do t’i zhvillojë në udhëtim.
Ndoshta ndeshja më vendimtare e këtij cikli është udhëtimi te Crystal Palace në stadiumin “Selhurst Park”, më 13 dhjetor. Një humbje ndaj skuadrës londineze mund ta zbresë Unitedin në fund të tabelës.
Aktualisht, Crystal Palace ka vetëm një pikë më pak se Unitedi, ndonëse ka regjistruar një fitore më shumë në 11 ndeshjet e para të kampionatit.
Nëse Unitedi humbet më 13 dhjetor dhe më pas pëson një tjetër disfatë në udhëtimin te Arsenali në stadiumin “Emirates”, në ndeshjen e fundit para Krishtlindjeve, skuadra e Pochettinos mund ta presë 25 dhjetorin në vendin e fundit të tabelës.
Nëse kjo ndodh, do të ishte hera e parë në historinë e Manchester Unitedit që klubi e kalon ditën e Krishtlindjeve në pozitën e fundit të tabelës së elitës së futbollit anglez./GazetaExpress/
The post Nuk është më vetëm një shaka, Unitedi ‘seriozisht’ rrezikon rënien nga Premierliga appeared first on Gazeta Express.