Rutte thotë se NATO ende s’ka konsensus për anëtarësimin e Ukrainës – çfarë propozon SHBA?

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se vendet anëtare të aleancës ende nuk kanë arritur konsensus për pranimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për anëtarësimin e vendit të tij.

Duke folur në takimin vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, më 23 nëntor, Rutte tha se Ukrainës i është ofruar perspektiva e anëtarësimit në të ardhmen, por se, aktualisht, nuk ekziston unanimitet mes vendeve anëtare për pranimin e saj.

Ai theksoi se vendimet për anëtarësimin në aleancë u takojnë vetëm vendeve të NATO-s.

“Ekziston qartësi e plotë brenda aleancës se vendimi se kush është ose nuk është anëtar i NATO-s, i takon vetë NATO-s”, tha Rutte.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me mbrojtjen kolektive që NATO-ja u ofron anëtarëve të saj.

Më herët gjatë ditës, Zelensky u bëri thirrje sërish vendeve të aleancës që ta pranojnë Ukrainën, duke argumentuar se anëtarësimi i plotë do të ishte një zgjidhje më e sigurt dhe më efektive sesa garancitë alternative të sigurisë.

“A nuk do të ishte më efektive që Ukraina thjesht të pranohej në NATO? A nuk do të ishte kjo më mirë për të gjithë ne, më pak e kushtueshme dhe më e besueshme për garantimin e sigurisë?”, pyeti Zelensky gjatë një fjalimi përmes videolidhjes nga Kievi.

Presidenti ukrainas ngriti pikëpyetje për mënyrën se si do të funksiononin garancitë e propozuara nga Uashingtoni, të cilat do të ngjasonin me nenin 5 të Traktatit të NATO-s.

Ky nen përcakton se një sulm i armatosur kundër një vendi anëtar konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve të aleancës.

“Cilat vende do ta mbështesin Ukrainën nëse sulmohet përsëri? Çfarë saktësisht do të bëjnë partnerët tanë? Cilat trupa do të vendosen paraprakisht në territorin tonë? Sa do të kushtojë e gjithë kjo?”, pyeti Zelensky.

Ai nuk e hodhi poshtë drejtpërdrejt propozimin amerikan, por këmbënguli se siguria e Evropës do të ishte më e fortë me Ukrainën brenda NATO-s.

Çfarë propozojnë Shtetet e Bashkuara?

I dërguari amerikan, Jared Kushner, tha më 22 nëntor se presidenti Donald Trump mund të shqyrtojë ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me detyrimet e mbrojtjes kolektive të NATO-s, nëse bindet se rreziku i një pushtimi të ri rus zvogëlohet mjaftueshëm.

Në një postim në platformën X, Kushner e cilësoi gatishmërinë e raportuar të Rusisë për të diskutuar garanci të tilla si një hap të rëndësishëm drejt paqes.

Megjithatë, ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për një zotim përfundimtar amerikan dhe se çdo marrëveshje do të kërkonte miratimin e Trumpit, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe ato të Kongresit.

Sipas Kushnerit, garancitë duhet të jenë konkrete dhe të besueshme, si dhe të mbështeten nga mekanizma për parandalimin e përshkallëzimit ushtarak dhe menaxhimin e krizave.

Ai theksoi, gjithashtu, se siguria afatgjatë e Ukrainës duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për sigurinë evropiane pas luftës, e shoqëruar me reforma dhe masa për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Rusia kundërshton anëtarësimin e Ukrainës

Moska kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Ukrainës në NATO, si dhe vendosjen e trupave perëndimore në territorin ukrainas në kuadër të garancive të sigurisë.

Më 20 nëntor, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, e cilësoi të papranueshme çdo marrëveshje që do t’i jepte Ukrainës një status të ngjashëm me anëtarësimin në NATO.

Ai tha se Kievi dhe partnerët perëndimorë duhet ta pranojnë kërkesën e Moskës që Ukraina të mos bëhet anëtare e aleancës.

Këto deklarata vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Rusisë për të pranuar garanci të sigurisë, të ngjashme me ato që ofron NATO-ja.

Rutte tha se çështja nëse anëtarësimi i Ukrainës mund të bëhet pjesë e negociatave me Rusinë, është e ndarë nga vendimmarrja e aleancës.

Por, sipas tij, është herët të spekulohet për përmbajtjen e negociatave përderisa ato nuk kanë nisur.

Ai i vlerësoi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të mundësuar bisedimet, duke theksuar se Uashingtoni po bashkërendon veprimet me Ukrainën dhe vendet evropiane.

Megjithatë, Rutte tha se përparimi do të varet edhe nga gatishmëria e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’u angazhuar në proces.

NATO-ja ka konfirmuar më herët se e ardhmja e Ukrainës është në aleancë, por se pranimi i saj kërkon pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.

Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në vitet e fundit, ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përsëriti të hënën qëndrimin se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është e pakthyeshme.

Diskutimet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për garancitë e sigurisë për të zhvillohen derisa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, që Rusia nisi kundër Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. /REL

The post Rutte thotë se NATO ende s’ka konsensus për anëtarësimin e Ukrainës – çfarë propozon SHBA? appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Mikel Arteta jep lajme të mira për David Rayën, Arsenali merr frymë i lehtësuar pas frikës për një lëndim serioz të portierit

Mikel Arteta ka dhënë një lajm shumë të mirë sa i përket gjendjes fizike të David Rayas, pasi portieri i Arsenalit pësoi një problem të dhimbshëm në shpatull në ndeshjen kundër Newcastle United. Ndonëse spanjolli do të mungojë në përballjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, …

News
Deri në 87 mijë vende të reja pune në Kosovë? Pengesat drejt realizimit

Tetëdhjetë e shtatë mijë vende të reja pune në një vend ku, sipas të dhënave të fundit, 11 për qind e fuqisë punëtore ishte e papunë. Deri në 1.5 miliard dollarë investime private në një ekonomi ku pjesa dërrmuese e kapitalit të huaj përfundon në patundshmëri dhe shërbime financiare. Këto …

News
Nuk është më vetëm një shaka, Unitedi ‘seriozisht’ rrezikon rënien nga Premierliga

Mundësitë që Manchester Unitedi të bie nga Premierliga mund të jenë shumë më të mëdha sesa mendohej, pasi një statistikë shqetësuese ka dalë në pah. Epoka e Mauricio Pochettinos si trajner i Manchester Unitedit nisi në mënyrën më të keqe të mundshme të dielën, pasi skuadra e tij pësoi një …