
Arsenali është ndalur me barazim 1-1 nga Borussia Dortmundi në “Emirates”, në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke i dhënë fund serisë prej 12 fitoreve radhazi në shtëpi në fazën e grupeve dhe atë të ligës të kësaj gare.
Skuadra e Mikel Artetës e nisi mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 10-të. Viktor Gyokeres realizoi një gol të bukur nga distanca, pas asistimit të Noni Maduekes, duke i dhënë avantazhin Arsenalit.
Vendasit patën edhe disa mundësi të tjera për ta dyfishuar epërsinë, por nuk arritën t’i konkretizonin. Në anën tjetër, Dortmundi rrezikoi në fund të pjesës së parë, por portieri Kepa Arrizabalaga reagoi mirë.
Skuadra gjermane e nisi më mirë pjesën e dytë dhe arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 55-të. Maximilian Beier përfitoi nga një pasim i bukur i Joane Gadou dhe me një goditje të saktë me të majtën mposhti Kepan.
Arsenali u mundua të rikthente epërsinë, por portieri Gregor Kobel bëri disa pritje të rëndësishme. Edhe Dortmundi pati mundësi për golin e dytë, por realizimi i Jobe Bellinghamit u anulua për pozitë jashtë loje.
Në minutat e fundit, të dyja skuadrat ishin shumë pranë golit të fitores. Fillimisht, Serhou Guirassy goditi dy herë shtyllën pas një aksioni të rrezikshëm të Dortmundit, ndërsa pak më vonë edhe Declan Rice goditi traversën për Arsenalin.
Në fund, rezultati mbeti 1-1. Me këtë barazim, Dortmundi e zgjati në nëntë ndeshje serinë pa humbje në të gjitha garat, ndërsa Arsenali e çoi në 20 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje në kohën e rregullt në Ligën e Kampionëve, rekord i ri për klubin./GazetaExpress/
The post Ndalet Arsenali, Dortmundi del me një pikë të fituar nga “Emirates” appeared first on Gazeta Express.