
Strobe Talbott, ish-gazetar i revistës “Time”, i cili më vonë shërbeu si zëvendëssekretar i Shtetit gjatë administratës së presidentit Bill Clinton dhe më pas drejtoi Institutin Brookings, ka vdekur të enjten në moshën 80-vjeçare.
Djali i tij, Devin Talbott, konfirmoi se ai ndërroi jetë në paqe, pas një sëmundjeje të gjatë, në shtëpinë e tij në East Hampton, në Nju Jork.
Talbott ishte diplomuar në Universitetin Yale dhe në Universitetin e Oksfordit, ku kishte qenë bashkëbanues me Bill Clintonin. Gjatë qëndrimit në universitetin britanik, pasi kishte kryer një praktikë në revistën “Time” në Moskë, revista i kishte kërkuar të ndihmonte në përkthimin e kujtimeve të rrjedhura të Nikita Hrushovit, ish-sekretarit të parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Talbott e kreu këtë detyrë, gjë që i hapi rrugën për t’u punësuar në revistën “Time”.
Pas 21 vjetësh në këtë revistë, ku ishte përqendruar në marrëdhëniet sovjeto-amerikane dhe kishte mbajtur pozita të rëndësishme, përfshirë atë të shefit të zyrës në Uashington dhe kolumnistit për çështjet e politikës së jashtme, ai iu bashkua administratës së Clintonit.
Në vitin 1994, Talbott filloi punën në Departamentin amerikan të Shtetit, ku shumë shpejt u emërua zëvendëssekretar i Shtetit. Në këtë rol, ai ishte arkitekti i qasjes së administratës amerikane ndaj Rusisë dhe vendeve të tjera që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Po ashtu, udhëhoqi negociatat ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Indisë pas testeve bërthamore të kësaj të fundit në vitin 1998.
Në cilësinë e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Strobe Talbott shërbeu si i dërguari kryesor i administratës së Clintonit në Rusi dhe luajti rol qendror në negociimin e marrëveshjes diplomatike që i dha fund Luftës së Kosovës në vitin 1999.
Së bashku me presidentin finlandez Martti Ahtisaari dhe të dërguarin e posaçëm rus Viktor Chernomyrdin, Talbott ndihmoi në finalizimin e kushteve të paqes, të cilat u pranuan nga presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq më 3 qershor 1999, duke hapur rrugën për Marrëveshjen e Kumanovës dhe tërheqjen e forcave serbe.
Nga viti 2002 deri në vitin 2017, ai shërbeu si president i Institutit Brookings, një prej organizatave më të njohura kërkimore dhe analitike në Shtetet e Bashkuara. Gjatë kësaj periudhe, ai drejtoi gjithashtu Bordin e Politikës së Jashtme të Departamentit amerikan të Shtetit.
Talbott ishte autor i më shumë se një duzine librash. Libri i tij i fundit, i titulluar Our Founders’ Warning: The Age of Reason Meets the Age of Trump (Paralajmërimi i themeluesve tanë: Epoka e arsyes përballet me epokën e Trumpit), u botua në vitin 2020.
Ai lindi në vitin 1946 në Dayton të Ohajos. Sipas gazetës “The New York Times”, pas vdekjes, ai la pas dy djemtë, Devin dhe Adrian, njerkën Rebecca Ascher-Walsh, motrat dhe vëllezërit Kirk, Marjo dhe Page Talbott, si dhe tetë nipër e mbesa.
Bashkëshortja e tij e parë, Brooke Shearer, kishte vdekur në vitin 2009, ndërsa më vonë Talbott ishte martuar me shkrimtaren Barbara Lazear Ascher.
The post Vdes Strobe Talbott, diplomati i Presidentit Clinton që negocioi me Rusinë përfundimin e luftës së Kosovës appeared first on Gazeta Express.