
Aleksandar Çupiç, kryetar i Kuvendit të Serbisë, ka deklaruar se Serbia nuk planifikon t’i vendosë sanksione Rusisë, pavarësisht kërkesave të Bashkimit Evropian për harmonizimin e politikës së jashtme me atë të bllokut evropian.
Në një intervistë për televizionin publik gjerman ZDF, Çupiç ka thënë se ky qëndrim është përcaktuar qartë edhe në programin zgjedhor.
Ai ka shtuar se beson që Bashkimi Evropian e kupton pozicionin e Beogradit.
“Ne e kemi bërë të qartë në programin tonë zgjedhor se nuk do t’i vendosim sanksione Rusisë”, ka deklaruar Çupiç.
Duke folur për synimet evropiane të Serbisë, ai ka shprehur zhgënjim me Brukselin, duke pretenduar se Bashkimi Evropian për një kohë të gjatë ka toleruar keqpërdorimin e pushtetit gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Çupiç ka thënë se sundimi i ligjit dhe liria e mediave janë vlera themelore evropiane, të cilat Serbia dëshiron t’i rikthejë jo për shkak të kërkesave të BE-së, por sepse vetë i konsideron të rëndësishme.
Ndërkohë, sipas ZDF-së, Serbia vazhdon të jetë e varur nga nafta dhe gazi rus, çka e vështirëson largimin e saj nga politika e afërt me Moskën. Ky qëndrim i Çupiçit vjen në kohën kur Serbia vazhdon të mos i bashkohet masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. /Gazeta Express
The post Udhëheqja e re në Beograd kritika BE’së: E toleruan gjatë keqpërdorimin që Vuçiq i bëri pushtetit – nuk e sanksionojmë Rusinë appeared first on Gazeta Express.