
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë që lideri i opozitës, Gadi Eisenkot të marrë fillimisht postin e kryeministrit, në kuadër të krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar me rotacion.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale të shtunën, Netanyahu tha se përgjegjësia e tij si lider e detyron të lërë mënjanë gjithçka, përfshirë edhe parimin që kryeministri duhet të vijë nga partia më e madhe.
Ai bëri të ditur se në këtë skenar do të shërbente fillimisht si zëvendëskryeministër.
Eisenkot, të cilit presidenti izraelit Isaac Herzog i kishte besuar më herët këtë muaj mandatin për formimin e qeverisë brenda 28 ditëve, reagoi menjëherë duke ftuar Netanyahun në negociata reale dhe të përshpejtuara.
Zhvillimet vijnë pasi të premten Eisenkot akuzoi partinë e djathtë Likud të Netanyahut se po zvarriste negociatat për krijimin e koalicionit, në prag të afatit përfundimtar të 6 dhjetorit.
Në zgjedhjet e zhvilluara në tetor, partia centriste Yashar e Eisenkotit dhe tre parti të tjera opozitare hebraike siguruan gjithsej 48 vende në Knesset.
Ndërkohë, blloku i Netanyahut fitoi 53 vende. Asnjëri prej kampeve nuk arriti shumicën prej 61 mandatesh në parlamentin me 120 vende. /Panorama
The post Netanyahu bën lëvizjen e papritur, pranon që opozitari Eisenkot të bëhet kryeministër i pari në një qeveri me rotacion appeared first on Gazeta Express.