“Nuk mund t’i fitosh 345 ndeshje duke u mbrojtur”, Diego Simeone e thyen një rekord në La Liga

Fitorja 3-0 e Atletico Madridit ndaj Getafes mund të ketë qenë një triumf rutinor, por ajo shënoi një tjetër moment historik në karrierën e gjatë të trajnerit Diego Simeone në krye të klubit madrilen.

Fitorja e së dielës në stadiumin “Estadio Coliseum” ishte e 345-ta e argjentinasit në La Liga, në 567 ndeshje të drejtuara, duke e bërë atë trajnerin me më së shumti fitore në historinë e elitës së futbollit spanjoll.

Simeone e theu rekordin e legjendarit Luis Aragones, ish-trajnerit të Atletico Madridit dhe Spanjës, i cili kishte regjistruar 344 fitore, por për të arritur këtë shifër i ishin dashur 189 ndeshje më shumë.

“Më bën të lumtur”, tha Simeone për rekordin e ri, me skuadrën e tij që tashmë renditet në vendin e tretë në tabelë, pas 10 fitoreve në 13 ndeshje.

“Zakonisht nuk gjej shumë gjëra që më bëjnë të lumtur, por pas kësaj qëndron një punë e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

I pyetur për perceptimin se skuadra e tij luan futboll mbrojtës, Simeone tha se kjo është një “kritikë e vazhdueshme me të cilën përballemi”.

Ai shtoi: “Nuk i kushtoj shumë rëndësi, por e marr parasysh. Ky narracion se jemi një skuadër mbrojtëse, sikur luajmë gjithmonë vetëm për t’u mbrojtur. Nuk mund t’i fitosh 345 ndeshje vetëm duke u mbrojtur. A është kjo madje e mundur?”, u shpreh 56-vjeçari.

Simeone është në krye të Atletico Madridit që nga dhjetori i vitit 2011, kur iu bashkua klubit në një periudhë kur Real Madridi i Jose Mourinhos dhe Barcelona e Pep Guardiolës dominonin futbollin spanjoll.

Argjentinasi arriti t’i mbijetonte në kohë të dy trajnerëve të njohur, duke e udhëhequr Atleticon drejt një periudhe të vazhdueshme suksesi. Ai ka qëndruar aq gjatë në klub, saqë këtë verë dëshmoi edhe rikthimin e Mourinhos te Real Madridi, 13 vjet pas largimit të tij të parë.

Pasi u emërua më 23 dhjetor 2011, Simeone e udhëhoqi Atleticon drejt triumfit në Ligën e Evropës në maj të vitit 2012. Tre muaj më vonë, ai fitoi edhe Superkupën e Evropës.

Më pas, në sezonin e tij të parë të plotë, fitoi Kupën e Mbretit, ndërsa në edicionin pasues siguroi titullin e parë të La Ligës për Atletico Madridin që nga viti 1996, kur vetë Simeone ishte futbollist i këtij klubi.

Nën drejtimin e tij, Atletico është konsoliduar si forca e tretë e futbollit spanjoll, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në çdo sezon të plotë me argjentinasin në stol.

Megjithatë, Simeone nuk ka arritur ta fitojë kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. Ai ka humbur dy finale të Ligës së Kampionëve ndaj rivalit të qytetit, Real Madridit, në rrethana tejet dramatike.

Në vitin 2014, Atletico pësoi golin e barazimit në kohën shtesë të ndeshjes, përpara se të humbiste në vazhdime, ndërsa në vitin 2016 u mposht pas ekzekutimit të penalltive.

Trofeu i fundit i Simeones erdhi në vitin 2021, kur fitoi për herë të dytë titullin e kampionit të Spanjës. Ndërkohë, në vitin 2018, ai e kishte udhëhequr skuadrën drejt triumfit të dyfishtë në Ligën e Evropës dhe Superkupën e Evropës.

Kontrata e tij me Atletico Madridin skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa tifozët e klubit tashmë presin të mësojnë nëse trajneri do të vazhdojë aventurën e tij të jashtëzakonshme edhe për një sezon tjetër./GazetaExpress/

The post “Nuk mund t’i fitosh 345 ndeshje duke u mbrojtur”, Diego Simeone e thyen një rekord në La Liga appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Mikel Arteta jep lajme të mira për David Rayën, Arsenali merr frymë i lehtësuar pas frikës për një lëndim serioz të portierit

Mikel Arteta ka dhënë një lajm shumë të mirë sa i përket gjendjes fizike të David Rayas, pasi portieri i Arsenalit pësoi një problem të dhimbshëm në shpatull në ndeshjen kundër Newcastle United. Ndonëse spanjolli do të mungojë në përballjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, …

News
Deri në 87 mijë vende të reja pune në Kosovë? Pengesat drejt realizimit

Tetëdhjetë e shtatë mijë vende të reja pune në një vend ku, sipas të dhënave të fundit, 11 për qind e fuqisë punëtore ishte e papunë. Deri në 1.5 miliard dollarë investime private në një ekonomi ku pjesa dërrmuese e kapitalit të huaj përfundon në patundshmëri dhe shërbime financiare. Këto …

News
Analiza e “Corriere”: Një erë e re po fryn në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe dorëzojnë bosët e krimit

Nga arrestimi i bosit Daniel Kinahan deri te sekuestrimi i pasurive të klaneve të Marsejës, Emiratet po përshpejtojnë ekstradimin e kriminelëve drejt shteteve të huaja për të fituar mbështetje ndërkombëtare. Era ka ndryshuar në Dubai. Ose ndoshta bëhet fjalë vetëm për disa lëvizje të forta. Gjithçka varet nga mënyra se …