
Policia e Kosovës më në fund ka njoftuar në lidhje me kontratën për furnizim me goma për automjetet e policisë.
Kjo kontratë në vlerë 9 mijë e 200 euro (9,200.00 euro) është bërë publike gjatë ditës së djeshme, në bazë të të dhënave në e-prokurimi, por që ende nuk është nënshkruar.
Por këtu shtrohet pyetja: Kush do i gjobis zyrtarët policorë që kaluan datën 15 nëntor ende pa i ndërruar gomat e e verës me ato të dimrit?
Kjo pasi Policia e Kosovës vazhdimisht bën thirrje që qytetarët e Kosovës të pajisen dhe t’i mbajnë pajisjet dimërore.

Kjo është obligative nga 15 nëntori deri më 14 mars, pavarësisht kushteve atmosferike.
Pas kësaj parashihet gjobë prej 40 eurove për drejtim të automjetit pa pajisje dimërore gjatë sezonit dimëror, shkruan lajmi.net.
Përveç gomave të dimrit, kërkohen edhe zinxhirët (si dhe pajisje të tjera të parapara me ligj.
Ndryshe në vazhdimësi raportimet mediatike në Kosovë kanë nxjerrë në pah një mospërputhje mes ligjit që gjobit qytetarët dhe gjendjes së flotës policore, pasi një pjesë e veturave të Policisë së Kosovës kanë hyrë në sezonin dimëror (pas 15 nëntorit) ende me goma të verës.
Ishte pikërisht Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka deklaruar se Policia e Kosovës ka goma dimërore në dispozicion për 73% të automjeteve, ndërsa 27% e flotës ka mbetur pa furnizim në hyrje të sezonit.
Mungesa e gomave lidhet me vonesat dhe anulimet në procedurat e prokurimit publik (tenderët). Për të mbuluar nevojat urgjente për pjesën e mbetur të veturave, është iniciuar një procedurë emergjente e prokurimit me vlerë rreth 81,510 euro.
Kurse eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, pati kritikuar këtë situatë, duke theksuar se është e papranueshme që institucioni që kërkon zbatimin e ligjit dhe shqipton gjoba ndaj qytetarëve, të mos jetë vetë i pajisur me kohë, çka rrezikon edhe sigurinë e patrullave në terren.
The post Kush do t’i gjobisë policët që ende vozisin me goma vere? appeared first on Gazeta Express.