
Tre persona janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Operacioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Në aksion kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera hetimore të Policisë së Kosovës, Njësitë Speciale (FIT) dhe AKI-ja.
Operacioni, sipas njoftimit, është zhvilluar në katër lokacione të ndryshme, ku tre personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë. Ata dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët dyshohet se i kanë mashtruar duke i bindur të investojnë në platforma të rreme investimi. Në këtë mënyrë, viktimat dyshohet se janë shtyrë të ndërmarrin veprime që u kanë shkaktuar dëm pasuror.
Gjatë kontrolleve në katër lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale dhe pasuri që lidhen me rastin, ndërsa vlera e pasurisë së sekuestruar raportohet të jetë mbi 1 milion euro.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, 4 mijë e 95 euro para të gatshme, 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike, si dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se janë relevante për rastin. Vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar është mbi 1 milion euro.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjitha rrethanave dhe personave të mundshëm të përfshirë.


The post Tre të arrestuar që mashtronin të huajt me investime të rreme, sekuestrohen pasuri mbi 1 milion euro appeared first on Gazeta Express.