
Përfaqësuesit e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC) të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë takuar me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF).
Takimi është mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të dëshmohen si një kornizë e qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim.
Përmes JIC-së, KFOR-i dhe Forcat e Armatosura të Serbisë mbajnë marrëdhënie të bazuara në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, duke mundësuar komunikim transparent dhe në kohë për çështjet që lidhen me “Vijën Kufitare Administrative (ABL)” ( siç i referohen ata kufirit Kosovë -Serbi), dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA).
KFOR-i ka ritheksuar se mbetet plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij, të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, në mënyrë të paanshme.
KFOR mban takime të rregullta me ushtrinë e Serbisë, por kryesisht vizitat kryhen në Beograd nga Komandanti i KFOR. Një vizitë e vizitë e gjeneralit serb Ljubiša Diković në Prishtinë, më 1 gusht 2014, kishte shkaktuar reagime të forta në Kosovë.
The post KFOR sjell ushtarakë të Ushtrisë së Serbisë në shtabin e tyre në Prishtinë, çfarë thuhet në komunikatë për takimin appeared first on Gazeta Express.