
Nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat”, pjesëmarrësit në ecjen “Gjurmët e Solidaritetit” shprehën mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe kërkuan drejtësi për ta.
Ecja u organizua në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Këshillin e Studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Në aktivitet morën pjesë kryetarja e Kuvendit, studentë dhe përfaqësues të ambasadave, institucioneve dhe shoqërisë civile.
Përmes “Kanavacës së Solidaritetit”, të rinjtë shprehën mbështetje për njohjen e përvojave të të mbijetuarve dhe përpjekjet e tyre për drejtësi.
Aktiviteti vuri në vëmendje veçanërisht gratë dhe vajzat, historitë e të cilave ende nuk janë dëgjuar, si dhe nevojën për mbështetje të vazhdueshme.
Feride Rushiti, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së, tha se pjesëmarrja e të rinjve jep shpresë se kujtesa për dhunën e luftës dhe angazhimi për drejtësi do të përcillen te brezat e ardhshëm.
“Asnjë histori nuk duhet të mbetet e padëgjuar, asnjë dhimbje e mohuar dhe asnjë i mbijetuar pa drejtësi”, tha Rushiti.
The post Prishtina marshon në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës appeared first on Gazeta Express.