Jose Mourinho prezanton një familjar të panjohur në konferencën për media te Real Madridi

Jose Mourinho ka shtuar edhe një moment tjetër të veçantë në koleksionin e tij të konferencave për media, pasi prezantoi para gazetarëve një familjar të tij, për të cilin pak kush e dinte.

Mourinho, i rikthyer për herë të dytë te Real Madrid, foli për ndeshjen e ardhshme të madrilenëve kundër Alavesit, e cila do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

63-vjeçari iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, por në përfundim të konferencës u ngrit nga vendi dhe iu afrua pjesëtarëve të mediave.

Në pamjet e publikuara nga “El Chiringuito TV”, Mourinho shihet duke iu drejtuar gazetarëve, përpara se të përqafonte njërin prej tyre. Më vonë u bë e ditur se bëhej fjalë për kushëririn e trajnerit portugez, Pedro Mourinhon.

Pedro Mourinho është gazetar në CNN Portugal, ndërsa kushëriri i tij, Jose, shfrytëzoi rastin për ta lavdëruar profesionalisht, por edhe për t’u ankuar për mënyrën se si trajtohet në vendlindjen e tij.

Me shaka, trajneri portugez tha:

“Ky person këtu është kushëriri im dhe njëri prej gazetarëve më të mirë në Portugali, por ai ka kaluar në një grup mediatik që më trajton shumë keq, kështu që nuk mund të flas me të”.

Pedro Mourinho ka studiuar komunikim dhe gazetari në Universitetin Autonom të Lisbonës dhe gjatë karrierës së tij ka punuar për mediume të njohura si RTP, Radio Comercial, TVI dhe Medialivre.

Së fundmi, ai njoftoi përmes LinkedIn-it angazhimin e tij të ri profesional në CNN Portugal, pas rikthimit në televizionin TVI.

“Ky është një postim për rikthimet dhe fillimet e reja. Pas katër vitesh përvojë shumë të vlefshme në të gjitha nivelet, jam rikthyer në universin e TVI-së, në CNN Portugal. Do të jem në ekran gjatë orëve të pasdites, së bashku me Cátia Nobren, nga ora 18:00 deri në 20:00.

Një fillim i ri që më bën të ndihem sikur është hera e parë, pavarësisht miqve me të cilët jam ritakuar dhe pritjes së ngrohtë që më është bërë.

Dua të falënderoj gjithashtu ekipin e pasdites, jam shumë i lumtur. Një falënderim të veçantë për Nuno Santos, José Eduardo Moniz dhe Mário Ferreira për rikthimin tim, besimin e treguar dhe për Pedro da Quitéria Faria për mbështetjen dhe këshillat gjatë këtij procesi tranzicioni.

E dimë se në këtë ambient, rikthimet e dyta në të njëjtin vend nuk janë gjithmonë të mundshme dhe nuk mund të isha më mirënjohës për këtë mundësi.

Shpresoj të jem në lartësinë e detyrës në një televizion që ndihmova ta themeloja dhe ndërtoja, për të vazhduar rrugëtimin tim me këtë rikthim”.

Puna e tij nuk duket të jetë e përqendruar në futboll, por ai ndau një moment të veçantë me Mourinhon para kolegëve të tij gazetarë.

Ndërkohë, gjatë konferencës për media, Mourinho u pyet edhe për situatën e Vinicius Juniorit dhe konkurrencën e madhe për vendet në formacionin titullar të Real Madridit.

Trajneri portugez e bëri të qartë se asnjë futbollist nuk e ka të garantuar një vend në formacionin e tij dhe se nuk e ka problem të bëjë ndryshime nga një ndeshje në tjetrën.

I pyetur për Viniciusin dhe mënyrën se si e krahason atë me yjet e tjerë të skuadrës, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe, Mourinho u përgjigj:

“Ky është problemi i tij, jo i imi.

Mbappe dhe Bellingham janë në të njëjtin nivel me të gjithë të tjerët. Nëse ndonjëherë përfundojnë në stol, kështu është futbolli. Objektivi kolektiv është mbi atë individual. Dallimi qëndron te paraqitjet e tyre të pakrahasueshme në raport me pjesën tjetër.

Kjo nuk ka të bëjë me konkurrencën, ne jemi të gjithë bashkë dhe duam të njëjtën gjë. Po arrijmë stabilitet dhe më duket se objektivi juaj është të krijoni këtë dyshim. Askush në skuadër nuk e dëshiron një gjë të tillë”.

The post Jose Mourinho prezanton një familjar të panjohur në konferencën për media te Real Madridi appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Hill shkruan për vdekjen e Talbott: S’mund ta harrojë si i ngushëllonte familjarët e diplomatëve tanë që vdiqën në Bosnjë

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher  Hill, ka shprehur pikëllimin për vdekjen e diplomatit amerikan Strobe Talbott. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hill ka kujtuar bashkëpunimin e afërt me Talbottin, duke e përshkruar atë si një person të jashtëzakonshëm dhe të dhembshur. Ai ka veçuar një moment që, sipas …

News
Shiroka-Pula takohet me presidentin kroat në Ohër: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik

Presidentja Justina Shiroka-Pula është takuar me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në kuadër të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër. Siç njofton Presidenca, Shiroka-Pula ka vlerësuar rolin e Kroacisë në themelimin dhe zhvillimin e kësaj nisme rajonale, si dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të integrimit …

News
Zvicër, 43-vjeçari nga Kosova dënohet me burgim dhe dëbim

Gjykata e Qarkut Wil, në kantonin St. Gallen, ka dënuar dy persona nga Evropa Lindore për përfshirje në më shumë se 30 raste vjedhjesh. Përveç burgimit shumëvjeçar, ndaj tyre është shqiptuar edhe masa e dëbimit nga Zvicra. Njëri prej dy personave të dënuar është një shtetas 43-vjeçar nga Kosova, ndërsa …