
Shkruan: Fatvera Jonuzaj
Kisha kohë që po mendoja të nisja punën për librin tim të dytë, “Amazonat e UÇK-së II”. Ashtu si në librin e parë, fillova të kërkoja kontakte të reja dhe të përgatitesha për ciklin e intervistave, me synimin për të njohur nga afër përvojat, rrugëtimin, mundin dhe sakrificat që kishin bërë para dhe gjatë luftës.
Gjatë hulumtimit, arrita të kontaktoja njërën prej tyre. E telefonova dhe lamë një takim në njërën prej kafeneve të Prishtinës.
Meqenëse ishte hera e parë që takoheshim, fillimisht u prezantova, i tregova se kush isha dhe cili ishte qëllimi i takimit. Ajo më përgëzoi për iniciativën që kisha ndërmarrë. Madje, u duk edhe më e kënaqur kur kuptoi se bota e luftës ishte një përvojë që unë nuk e kisha njohur drejtpërdrejt.
Unë jam një fëmijë i lindur në kohën e luftës. Luftën nuk e mbaj mend, por njerëzit e saj nuk kanë qenë kurrë të panjohur për mua. Jam rritur duke mësuar rëndësinë e lirisë, duke kuptuar çmimin e saj dhe duke nderuar ata që sakrifikuan gjithçka për ta fituar.
Por ajo që dëgjova më pas më tronditi.
“E dashur, unë nuk mund të flas për këtë pjesë të jetës sime. E kam varrosur menjëherë pas luftës, për shkak të stereotipeve dhe paragjykimeve. Tashmë jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Nuk mund të flas për të kaluarën time, sepse as bashkëshorti dhe as familja e tij nuk e dinë që unë kam qenë pjesë e UÇK-së”.
Për disa çaste mbeta pa fjalë.
Si mund të varroset pjesa më e rëndësishme e jetës së një njeriu? Si mund të detyrohet dikush të mohojë një kapitull të historisë së vet? Si mund të shndërrohet një sakrificë për liri në një sekret që duhet ruajtur me çdo kusht?
U largova nga ajo tavolinë me mendjen e trazuar dhe me shumë pyetje që nuk po gjenin përgjigje.
Rrëfimi i saj më bëri të reflektoja për një nga dilemat më të vjetra të filozofisë politike: marrëdhënien ndërmjet lirisë dhe sigurisë.
Në filozofinë politike të fillimeve të modernitetit, kjo marrëdhënie zinte një vend qendror në debatin ndërmjet dy mendimtarëve të mëdhenj anglezë, Tomas Hobsit dhe Xhon Lokut.
Për Hobsin, siguria dhe ruajtja e jetës përbënin kushtet themelore të ekzistencës njerëzore. Njeriu, për të shmangur pasigurinë dhe frikën, ishte i gatshëm të kufizonte një pjesë të lirisë së tij në këmbim të sigurisë. Ndërsa Loku e vendoste lirinë dhe të drejtat natyrore të individit në themel të shoqërisë politike, duke argumentuar se pushteti duhet të ekzistojë pikërisht për t’i mbrojtur ato.
Duke dëgjuar atë grua, m’u duk sikur ky debat filozofik po merrte një kuptim krejt tjetër, shumë më konkret dhe njerëzor. Ajo po jetonte një dilemë të dhimbshme: të ruante të vërtetën e së kaluarës së saj apo sigurinë e jetës që kishte ndërtuar pas luftës.
Në njëfarë mënyre, ajo dhe gra të tjera që mund të gjenden në rrethana të ngjashme ishin përballur me një zgjedhje që nuk duhej t’u takonte atyre: të tregonin të kaluarën e tyre, duke rrezikuar sigurinë familjare dhe shoqërore, apo të heshtnin për të mbrojtur jetën që kishin ndërtuar.
Por këtu qëndron paradoksi: siguria që përpiqeshin të mbronin vinte me çmimin e kufizimit të lirisë për të cilën kishin luftuar.
Dhe pikërisht këtu shtrohet një pyetje thelbësore: a mund të quhet zgjedhje e lirë një vendim që merret nga frika e braktisjes, përjashtimit apo humbjes së sigurisë ekonomike dhe familjare? Kur heshtja bëhet kusht për të ruajtur martesën, familjen dhe të drejtat personale, ajo nuk është më thjesht një vendim individual, por pasojë e kufizimeve që shoqëria i imponon gruas.
Kështu kuptova se amazonat tona kishin zhvilluar një luftë të dyfishtë. Fillimisht, kundër armikut të jashtëm, Serbisë, për çlirimin e vendit. Më pas, kundër një armiku të brendshëm, shumë më të heshtur, por jo më pak kufizues: mentalitetit patriarkal dhe paragjykimeve të shoqërisë sonë.
Në thelb të këtij mentaliteti qëndron një perceptim i vjetër gjinor, sipas të cilit gruaja shihet para së gjithash përmes roleve tradicionale si bashkëshorte, nënë dhe kujdestare e familjes, ndërsa pjesëmarrja e saj në luftë nuk pranohet gjithmonë si shprehje e guximit, vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj çlirimit të vendit. Përkundrazi, në raste të caktuara, kjo pjesëmarrje keqinterpretohet, vihet në dyshim dhe madje njolloset përmes paragjykimeve që burojnë nga një mentalitet që nuk e pranon lehtësisht gruan si luftëtare dhe e angazhuar në jetën publike.
Sikur guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar për lirinë të ishin cilësi që u përkisnin vetëm burrave. Sikur prania e një gruaje në luftë të kërkonte shpjegim apo justifikim, ndërkohë që pjesëmarrja e burrave merret si e mirëqenë.
Pikërisht ky perceptim bëhet burim frike për disa prej tyre. Ato druhen se e kaluara e tyre mund të keqinterpretohet dhe se pjesëmarrja në luftë, në vend që të vlerësohet si akt guximi dhe sakrifice, mund të përdoret për të njollosur emrin dhe dinjitetin e tyre personal. Kështu, një kapitull i lavdishëm i jetës së tyre rrezikon të shndërrohet në burim paragjykimi dhe stigmatizimi në mjedisin familjar e shoqëror.
Ato nuk heshtin sepse kanë diçka për të fshehur, por sepse kanë frikë nga mënyra se si shoqëria mund ta interpretojë atë që kanë bërë.
Në këtë betejë të dytë nuk kishte fronte të dukshme, uniforma apo armë. Kishte familje, martesa, marrëdhënie shoqërore dhe norma të trashëguara që përcaktonin se çfarë mund të thoshte një grua dhe çfarë duhej të mbante të fshehtë.
Ato qëndruan të pathyeshme dhe të guximshme në vijat e para të frontit. Kontributi dhe sakrifica e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës janë pjesë e pandashme e historisë sonë. Ato luftuan për të njëjtin ideal, për të njëjtën liri dhe për të ardhmen e një populli që dëshironte të jetonte i lirë.
Por, me përfundimin e luftës, disa prej tyre u gjendën përballë një beteje krejt tjetër: të mbronin dinjitetin dhe të kaluarën e tyre nga paragjykimet e një shoqërie që duhej t’i nderonte.
Sa më shumë që hulumtoj për luftën e UÇK-së, veçanërisht për kontributin e grave, aq më shumë përballem me një të vërtetë të dhimbshme: për disa prej tyre, përfundimi i luftës nuk shënoi përfundimin e betejave. Përkundrazi, ato u përballën me kufizime të reja, këtë herë brenda familjeve dhe shoqërisë.
Heshtja e tyre nuk mund të kuptohet thjesht si zgjedhje personale. Në disa raste, ajo është pasojë e një realiteti shoqëror që i vendos gratë përballë kostove të rënda nëse vendosin të flasin. Ato mund të rrezikojnë të braktisen nga bashkëshortët, të përjashtohen nga familjet, të humbasin sigurinë ekonomike dhe të drejtat mbi pronën e trashëgiminë. Mund të përballen me stigmatizimin dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
Në këto rrethana, heshtja shndërrohet në një mekanizëm mbijetese.
Amazonat e UÇK-së luftuan për të fituar lirinë e vendit, por pas luftës, disa prej tyre u gjendën përballë një dileme të dhimbshme: të tregonin të kaluarën e tyre dhe të rrezikonin sigurinë familjare e shoqërore, apo të heshtnin për të mbrojtur jetën që kishin ndërtuar. Për të ruajtur sigurinë, ato u detyruan të kufizonin lirinë për të qenë të vërteta ndaj historisë së tyre.
Kjo është humbja më e dhimbshme e pasluftës: të jesh pjesë e historisë së çlirimit të një vendi, por të mos ndihesh e lirë ta tregosh historinë tënde.
Dikur rrezikuan jetën për të mos jetuar nën robëri. Sot, disa prej tyre rrezikojnë të mohojnë të kaluarën për të mos humbur jetën që kanë ndërtuar.
Sa paradoksale! Luftuan për lirinë e një populli, por disa ende nuk ndihen të lira të flasin për historinë e tyre.
Ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është pse ato heshtin, por pse shoqëria jonë nuk ka arritur të krijojë kushte në të cilat ato mund të flasin pa frikë.
Sepse liria nuk është vetëm çlirimi nga pushtuesi. Ajo është edhe mundësia për të qenë vetvetja, për të folur pa frikë, për të mos e fshehur të kaluarën dhe për të mos paguar me sigurinë personale çmimin e së vërtetës.
Liria e Kosovës nuk mund të konsiderohet e plotë përderisa shumë gra që luftuan për të ende duhet të zgjedhin ndërmjet së vërtetës së tyre dhe sigurisë së jetës së tyre.
E tmerrshme. E dhimbshme. Dhe, mbi të gjitha, një e vërtetë që nuk duhet ta pranojmë si normale.
Autorja ështe historiane dhe filozofe. Ka shkruar librin “Amazonat e UÇK-së”.
The post Lufta e dyfishtë e Amazonave: Mes lirisë dhe sigurisë appeared first on Gazeta Express.