
Milani ka kaluar nga interesimi në hapa konkretë për transferimin e Endrickut nga Real Madridi.
Sipas raportimeve të “Cadena SER”, klubi italian e ka paraqitur një ofertë zyrtare prej rreth 70 milionë eurosh për ta transferuar sulmuesin brazilian që në afatin kalimtar të janarit, përcjell “Gazeta Express”.
Drejtuesit e kuqezinjve janë të gatshëm të bëjnë një investim të madh për ta bindur Realin që të heqë dorë nga talenti 20-vjeçar.
Megjithatë, pengesa kryesore është Jose Mourinho. Trajneri portugez nuk dëshiron ta humbasë Endrickun në mes të sezonit, pasi e konsideron një futbollist të rëndësishëm për repartin ofanziv.
Mourinho beson se do të ishte shumë e vështirë të gjendej një zëvendësues i të njëjtit nivel, ndërsa dëshiron ta ruajë konkurrencën në sulm, edhe pse Kylian Mbappe mbetet zgjedhja e parë.
Endrick, nga ana tjetër, nuk ka kërkuar largimin nga Madridi në janar. Megjithatë, mungesa e minutave në dispozicion ka ndikuar në situatën e tij.
Këtë sezon ai ka regjistruar vetëm pesë paraqitje në La Liga dhe tri të tjera në Ligën e Kampionëve, ku ka arritur të shënojë një gol ndaj Romës.
Përfaqësuesit e tij pritet të udhëtojnë këtë javë në Madrid për të diskutuar me drejtuesit e klubit rreth së ardhmes së tij.
Milani shpreson ta përfundojë marrëveshjen gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa në rast dështimi do ta shqyrtojë mundësinë për ta rifilluar negociatën në verë.
Për momentin, vendimi mbetet në duart e Real Madridit dhe Mourinhos, por edhe vetë futbollistit brazilian, i cili duhet të vendosë nëse do të luftojë për një vend në Madrid apo do të zgjedhë një aventurë të re në Serie A. /Gazeta Express
The post Milani bën ofertë zyrtare prej 70 milionë eurosh për Endrickun appeared first on Gazeta Express.