
Shqipëria është një nga gjashtë destinacionet që media kanadeze e udhëtimeve Milesopedia rekomandon për vizitorët që kërkojnë pushime me kosto të përballueshme.
Autorja Marie-Ève Leclerc veçon larminë e itinerareve, nga plazhet e Jonit dhe qytetet historike te shtigjet malore në veri. Në të njëjtën listë përfshihen Kolumbia, Meksika, Brazili, Maroku dhe Guatemala.
Leclerc kaloi një javë në Tiranë duke punuar në distancë. Gjatë qëndrimit vizitoi Liqenin e Bovillës, në një ekskursion që, sipas saj, kushtoi 28 euro. Përvoja e nxiti të mendonte për një udhëtim tjetër në Shqipëri, me më shumë kohë për të vizituar edhe Beratin, qytet i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Çfarë rekomandon të vizitohet?
Në jug, Leclerc veçon ujërat e kthjellëta të Ksamilit, plazhin e Gjipesë, ku mund të mbërrihet në këmbë, dhe rrugën panoramike të Llogorasë me pamje mbi Jon. Për ata që duan të qëndrojnë pranë bregdetit, ajo përmend apartamentet me pamje nga deti në Dhërmi dhe Himarë. Në itinerar përfshin edhe qytetin antik të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në veri, autorja rekomandon Thethin për ecje në natyrë dhe qëndrim në bujtina tradicionale. Ndër shtigjet që veçon janë ato drejt Syrit të Kaltër të Thethit dhe ujëvarës së Grunasit.
Sa kushton një udhëtim në Shqipëri?
Sipas vlerësimeve orientuese të Leclerc, një natë në një hotel të vogël të tipit boutique mund të kushtojë nga 25 deri në 60 dollarë kanadezë, ndërsa një vakt me gatime tradicionale nga 10 deri në 20 dollarë kanadezë. Ajo e vlerëson qiranë e një makine në 25 deri në 40 dollarë kanadezë në ditë dhe koston e një ekskursioni me guidë në 20 deri në 45 dollarë kanadezë.
Për udhëtarët nga Kanadaja, artikulli sugjeron fluturime me lidhje përmes qendrave kryesore ajrore evropiane. Një ndalesë në Athinë, për shembull, mund të kombinohet me vizitën në Shqipëri brenda të njëjtit udhëtim. /GazetaExpress/
The post Nga Bovilla në Rivierë, media kanadeze rekomandon Shqipërinë për pushime të përballueshme appeared first on Gazeta Express.