
Elmi Korpuzi e shkroi këngën në fillim të luftës së UÇK-së. Strofën e dytë ia frymëzoi rënia e shokëve të parë. Sot, fëmijët e veteranëve dhe të dëshmorëve rikrijojnë në videoklip çaste nga historia e saj.
Mes stërvitjeve dhe betejave, kur vinte koha për pak pushim, Elmi Korpuzi dhe bashkëluftëtarët e tij mblidheshin dhe këndonin me sharki. Njëra prej këngëve që i shoqëroi gjatë gjithë luftës ishte “Për ty këndova”, të cilën Korpuzi e kishte shkruar në fillim të luftës çlirimtare.
Në vargje, ai i drejtohet një vajze imagjinare. Përmes asaj dashurie, kënga shpreh edhe mallin për atdheun dhe shpresën për liri. Pas disa prej vargjeve qëndrojnë përjetime që Korpuzi i kujton ende.
Strofa që lindi pas rënies së shokëve
Korpuzi e shkroi strofën e dytë pas rënies së shokëve të parë. Mendja i shkonte te çastet e tyre të fundit dhe te njerëzit që kishin lënë pas. Çfarë mund të kenë menduar në ato çaste? Kë mund të kenë kujtuar? Dashuria për familjen, për njerëzit e afërt dhe për jetën mori formë në vargje.
Gjatë luftës, kënda u jepte bashkëluftëtarëve pak qetësi dhe një mënyrë për t’i ndarë me njëri-tjetrin ndjenjat që vështirë t’i shprehnin në bisedë. Shumë prej atyre që e kënduan me Korpuzin ranë dëshmorë. Me kalimin e viteve, kënga u bë edhe një mënyrë për t’i kujtuar ata.
Fëmijët e veteranëve dhe të dëshmorëve në videoklip
Në videoklipin e këngës së Elmi Korpuzit dhe Arbri 121, fëmijët e veteranëve dhe të dëshmorëve rikrijojnë çaste të shkrimit të këngës dhe të këndimit me sharki, si dhe skena dashurie e ndarjeje. Disa prej skenave janë frymëzuar nga historitë e bashkëluftëtarëve që lanë pas të fejuarat, të dashurat, gratë dhe fëmijët e tyre.
Përmes fëmijëve që luajnë në videoklip, historia e këngës përcillet te një brez që u rrit në liri. Në të mbetet edhe kujtimi i familjeve që pritën kthimin e më të dashurve dhe i fëmijëve që u rritën me kujtimin e prindërve të rënë.
“Për ty këndova” është një homazh për bashkëluftëtarët e rënë dhe për nënat, gratë, motrat e fëmijët që përjetuan pritjen dhe humbjen. Në rrëfimin e Korpuzit, liria për të cilën luftoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfshin çlirimin e vendit dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut.
“Për ty këndova, për ty jetova…”
Autor i këngës dhe kantautor — Elmi Korpuzi
The post Për ty këndova”, historia e një kënge që lindi në luftën e Kosovës appeared first on Gazeta Express.