
Andriy Shevchenko ka reaguar ashpër ndaj Mykhailo Mudryk, pasi ky i fundit fajësoi organizimin e Kombëtares së Ukrainës për rezultatin pozitiv në testin e tij antidoping.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës (UAF) i ka cilësuar deklaratat e futbollistit si “shpifje të pabaza”, duke mohuar kategorikisht çdo përgjegjësi të institucionit që drejton për rastin e tij.
Mudryk, 25-vjeçar, në një intervistë dyorëshe me gazetarin ukrainas Dmitry Gordon, ka folur për periudhën e vështirë që kaloi pas testit pozitiv për substancën meldonium.
Futbollisti, i cili është në huazim te Tottenham nga Chelsea, u pezullua nga futbolli nga nëntori i vitit 2024 deri në korrik të vitit 2026. Fillimisht, atij iu shqiptua një pezullim katërvjeçar nga Federata Angleze e Futbollit, pasi rezultoi pozitiv në testin antidoping.
Megjithatë, ai arriti të rikthehej në futboll pas një zhvillimi të rëndësishëm në rastin e tij, lidhur me ndryshimet në standardet shkencore të raportimit.
Në reagimin e tij për “The Athletic”, Shevchenko deklaroi se akuzat e Mudryk janë të papranueshme.
“Janë bërë deklarata të rënda ndaj UAF-së dhe Kombëtares së Ukrainës. Këto janë shpifje të pabaza ndaj njerëzve tanë, të cilët e kryejnë punën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm”, thuhet në reagimin e tij.
Ish-futbollisti i Chelseat shkoi edhe më tej, duke kërkuar nga Mudryk që të kërkojë falje nëse nuk ka prova për t’i mbështetur akuzat e tij.
Kështu, rasti i futbollistit ukrainas ka hapur një përplasje të re publike mes tij dhe drejtuesve të federatës, në një kohë kur ai po përpiqet të rifillojë karrierën pas një periudhe të gjatë jashtë fushave.
The post Shevchenko i kundërpërgjigjet Mudryk: Akuzat e tij janë shpifje të pabaza appeared first on Gazeta Express.