
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar informacione zyrtare lidhur me rastin e 38-vjeçarit, i cili mëngjesin e sotëm u gjet i vdekur në unazën e Shkupit “Nëna Terezë”, në afërsi të fshatit Smillkovcë.
Sipas policisë, bëhet fjalë për S.E. (38) nga fshati Lubin i Shkupit. Pranë trupit të tij ishte gjetur edhe një automjet i tipit “Mercedes”, me targa të Shkupit, të cilin paraprakisht e kishte drejtuar viktima.
Rasti ishte raportuar në SPB Shkup në orën 06:15, pas së cilës menjëherë në vendngjarje kishin dalë zyrtarët policorë.
“Më 21.11.2026, në orën 06:15, në SPB Shkup është raportuar se në unazën ‘Nëna Terezë’, në afërsi të fshatit Smillkovcë të Shkupit, është gjetur një person pa shenja jete. Menjëherë pas denoncimit, zyrtarët policorë të SPB Shkup janë dërguar në vendngjarje, ku është konstatuar se bëhet fjalë për S.E. (38) nga fshati Lubin i Shkupit”, njoftojnë nga MPB-ja.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe një ekip i Ndihmës së Shpejtë, i cili ka konstatuar vdekjen. Gjatë kontrollit të trupit është vërejtur një plagë e shkaktuar nga arma e zjarrit në pjesën e këmbës.
“Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes nga ekipi përkatës i SPB Shkup. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dorëzuar në Mjekësinë Ligjore për obduksion. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes penalo-juridike”, njoftuan nga Ministria.
Deri më tani nuk është përcaktuar se si është shkaktuar plaga nga arma e zjarrit dhe nëse ajo është shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes së 38-vjeçarit.
Përgjigjet për këto pyetje pritet të dalin pas obduksionit dhe veprimeve të mëtejshme hetimore, ndërsa policia po vazhdon punën për zbardhjen e rastit.
The post MPB-ja me detaje për burrin e vdekur në unazën e Shkupit: Kishte plagë nga arma e zjarrit në këmbë appeared first on Gazeta Express.