
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka reaguar pas kalimit në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në një reagim në X, Dioqeza pretendon se Kisha Ortodokse Serbe nuk është konsultuar gjatë hartimit të këtij projektligji, i cili parasheh themelimin e një inspektorati në kuadër të Ministrisë së Kulturës, me kompetenca për mbikëqyrjen dhe ndërprerjen e punimeve në asetet e trashëgimisë kulturore.
Sipas dioqezës, kompetencat e reja të Inspektoratit mund të përdoren për të anashkaluar garancitë që, sipas saj, i ofrohen Kishës përmes Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit për Lirinë Fetare.
“Inspektorati do të kishte kompetenca të reja dhe të zgjeruara për të mbikëqyrur të gjitha punimet në asetet e trashëgimisë kulturore, për t’i ndërprerë këto punime në rrethana të caktuara dhe për të shqyrtuar drejtpërdrejt ligjshmërinë e aktiviteteve ndërtimore në zonat e mbrojtura. Gjithashtu, atij do t’i jepej e drejta të ndërmarrë masa të tjera që mund të cenojnë seriozisht të drejtat e pronarëve të aseteve të trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagim.
Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Dioqeza thotë se edhe ky institucion ka evidentuar shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe ka kërkuar respektimin e mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e Kishës. Në fund të reagimit, ajo kërkon që projektligji të kthehet për konsultime ose të ndryshohet para miratimit përfundimtar, në mënyrë që kompetencat e Inspektoratit të mos cenojnë të drejtat që Kisha pretendon se i garantohen me legjislacionin në fuqi.
Reagimi i plotë:
Dioqezа e Rashkës dhe Prizrenit shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, i cili kaloi leximin e parë në Kuvendin e Kosovës më 20 nëntor. Për këtë projektligj, gjatë hartimit të tij, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk është konsultuar, ndërsa parashihet themelimi i një inspektorati qendror në kuadër të Ministrisë së Kulturës.
Inspektorati do të kishte kompetenca të reja dhe të zgjeruara për të mbikëqyrur të gjitha punimet në asetet e trashëgimisë kulturore, për t’i ndërprerë këto punime në rrethana të caktuara dhe për të shqyrtuar drejtpërdrejt ligjshmërinë e aktiviteteve ndërtimore në zonat e mbrojtura. Gjithashtu, atij do t’i jepej e drejta të ndërmarrë masa të tjera që mund të cenojnë seriozisht të drejtat e pronarëve të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Dioqeza jonë mbështet mbikëqyrjen profesionale që mbron të gjithë trashëgiminë kulturore, përfshirë objektet tona të shenjta, nga dëmtimet dhe ndërtimet e paligjshme. Megjithatë, jemi të shqetësuar se këto kompetenca të reja mund të përdoren në praktikë për të anashkaluar garancitë që tashmë i ofrohen Kishës përmes Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, Ligjit për Lirinë Fetare dhe legjislacionit tjetër në fuqi.
Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura kërkon që komunat të marrin pëlqimin e Kishës për aktivitete të caktuara. Nëse nuk arrihet marrëveshje, palët janë të obliguara ta referojnë çështjen te Këshilli për Zbatim dhe Monitorim (KZM), në të cilin përfaqësohen Bashkimi Evropian, OSBE-ja, dy ministritë përkatëse të Kosovës dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Projektligji nuk përmend as Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe as Këshillin. Kjo lë të hapur mundësinë që një institucion me kompetenca të gjera të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e objekteve tona të shenjta, ndonëse Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nuk i jep atij asnjë autoritet të drejtpërdrejtë brenda këtyre zonave. Edhe Ligji për Lirinë Fetare kërkon pëlqimin e bashkësisë fetare që ky institucion të hyjë në hapësirat fetare ose të ndërhyjë në to.
Për shekuj me radhë, kishat dhe manastiret tona në Kosovë kanë qenë vende ku besimtarët janë mbledhur për të kryer shërbesat fetare. Manastiret tona janë gjithashtu shtëpitë e murgjve dhe murgeshave. Një vendim i njëanshëm për ndërprerjen e riparimeve të nevojshme ose ndalimin e punimeve mund të ketë pasoja serioze për një vëllazëri apo motëri manastiri.
Edhe pse projektligji nuk parasheh ndonjë ndryshim në pronësinë e objekteve, Kisha Ortodokse Serbe, si pronare, mund të përballet me kufizime të drejtpërdrejta në aftësinë e saj për t’i mirëmbajtur dhe restauruar siç duhet dhe në kohë objektet e saj të shenjta, si dhe për t’i përdorur ato në përputhje me destinimin e tyre dhe legjislacionin tashmë në fuqi. Kompetencat që projektligji do t’i jepte Inspektoratit mund të sjellin pasoja shumë më serioze sesa thjesht kufizimi i veprimtarisë së Kishës.
Në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, të datës 4 nëntor 2026 (faqet 38 dhe 45), Komisioni Evropian gjithashtu thekson se interpretimi jokonsistent i ligjit ka çuar tashmë në shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Komisioni bën thirrje për krijimin e një kornize të plotë ligjore për mbrojtjen e Kishës, duke u mbështetur në garancitë e përcaktuara në Planin e Ahtisaarit dhe të riafirmuara në marrëveshjen e vitit 2023. Gjithashtu, kërkon që Këshilli për Zbatim dhe Monitorim (KZM) të ketë mundësi ta përmbushë plotësisht rolin e tij.
Komisioni Evropian thekson shprehimisht se përdorimi i një emërtimi jo të plotë për Kishën, së bashku me disa veprime që kanë të bëjnë me objektet e saj të shenjta, perceptohet si mohim i identitetit të Kishës dhe vënie në pikëpyetje e trashëgimisë së saj fetare dhe kulturore.
Nëse nuk ka vullnet që projektligji të kthehet për konsultime, të cilat nuk u zhvilluan kur ai u përfshi për herë të parë në rendin e ditës, ne besojmë se ai duhet të ndryshohet përpara miratimit përfundimtar.
Ai duhet të përcaktojë shprehimisht se masat inspektuese nuk mund të kufizojnë të drejtat që tashmë i garantohen Kishës me ligj dhe as të përdoren për të anashkaluar Këshillin për Zbatim dhe Monitorim (KZM).
The post Dioqeza e Rashkës kundër Projektligjit për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore: S’u konsultuam, ka kompetenca të zgjeruara appeared first on Gazeta Express.