Banjalluka e Bosnjës në pritje të tramvajit inteligjent nga kompania e sanksionuar kineze

Banjalluka, qyteti i dytë më i madh në Bosnje e Hercegovinë, së shpejti mund të shndërrohet në një terren testimi për tramvajet inteligjente të Kinës.

Pas kësaj teknologjie qëndron një korporatë e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet e saj me ushtrinë kineze. Bashkimi Evropian, ndërkohë, po e heton këtë kompani për dyshimet për shkelje të rregullave të konkurrencës në treg.

Nga Administrata e Qytetit të Banjallukës i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se bëhet fjalë për “një nga kompanitë më të zhvilluara në këtë fushë” dhe se tramvaji do të vijë vetëm për të testuar nëse është i përshtatshëm për përdorim në qytet.

Tramvaji inteligjent, i cili pritet të mbërrijë në Banjallukë në mesin e dhjetorit, funksionon me bateri elektrike dhe nuk kërkon vendosjen e shinave apo të linjave elektrike mbi rrugë. Ai lëviz me rrota gome, duke ndjekur shina virtuale të krijuara në asfalt, përmes sensorëve optikë.

Në Banjallukë për testim pritet të mbërrijë një tramvaj 30 metra i gjatë, me tre vagonë dhe kapacitet të përgjithshëm prej 300 udhëtarësh.

Një tramvaj i tillë kushton më shumë se dy milionë dollarë.

Infrastruktura rrugore, si dhe fakti se transporti publik në Banjallukë ofrohet nga kompani private, ngrenë pikëpyetje për arsyeshmërinë ekonomike dhe mundësinë e realizimit të këtij projekti pas përfundimit të udhëtimeve testuese.

Administrata e Qytetit nuk ka treguar se sa do të kushtojë i gjithë projekti dhe se kush do ta financojë atë.

Për REL-in, ajo thekson se “nuk bëhet fjalë për blerjen e tramvajit, por për një automjet që vjen në bazë të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes kompanisë së transportit dhe operatorit lokal”, pa specifikuar se për cilin operator lokal bëhet fjalë.

Ndërkaq, dy kompanitë më të mëdha që ofrojnë transportin publik në Banjallukë, “Pavlović Turs” dhe “Autoprevoz GS”, i thanë REL-it se nuk janë të përfshira në këtë projekt.

Çfarë tramvaji pritet të mbërrijë në Banjallukë?

Tramvaji, i quatur “Autonomous Rapid Transit”, apo ART, është një hibrid mes tramvajit dhe autobusit, i cili përdor sensorë optikë dhe inteligjencë artificiale për të ndjekur vijat e shënuara në asfalt.

Ai ka rrota gome, funksionon me energji elektrike të ruajtur në bateri dhe është i aftë të lëvizë plotësisht vetvetiu.

Megjithatë, në kabinë gjendet gjithmonë një shofer, i cili mbikëqyr funksionimin e sistemit dhe mund të marrë përsipër drejtimin në rast të situatave të paparashikuara.

“Tramvaji vjen nga Kina dhe do të drejtohet nga shoferë të trajnuar të kompanisë së transportit, e cila ka kontratë me Qytetin për ofrimin e transportit publik”, thuhet në përgjigjen e Administratës së Qytetit për REL-in.

Ajo shton se një shofer tashmë ka përfunduar trajnimin në Kinë, ndërsa gjatë periudhës së testimit në Banjallukë do të qëndrojnë edhe nga një shofer nga Kina dhe Sllovenia.

Kryeqyteti i Sllovenisë, Lubjana, është qyteti i parë dhe i vetëm evropian ku ka mbërritur një tramvaj i tillë. Ai arriti në mesin e nëntorit, gjithashtu për udhëtime testuese.

“Do të jetë i pranishëm edhe një ekip i plotë për mirëmbajtje, në rast se nevojiten ndërhyrje”, thonë nga Administrata e Qytetit të Banjallukës.

Ajo shton se kanë nisur punimet në njërën prej parkingjeve të autobusëve në qytet, ku do të vendosen pajisjet për ta mbushur me energji tramvajin.

Administrata thotë gjithashtu se nuk do të nevojiten ndërhyrje shtesë në rrugë, pasi automjeti do të jetë aty vetëm për testim.

“Inxhinierët nga Kina kanë qëndruar tashmë në Banjallukë, ku kanë kryer analiza. Së bashku me ta, përfaqësuesit e qytetit kanë përcaktuar itinerarin në të cilin ky automjet mund të funksionojë pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje. Nëse, pas periudhës së testimit, qyteti vendos ta blejë, do të vlerësohet se cilat janë veprimet e mëtejshme të nevojshme”, thuhet në përgjigjen e administratës.

Sistemi ART nuk përdoret për qëllime komerciale në asnjë vend të Evropës.

Kush i prodhon tramvajet?

Tramvajin inteligjent e prodhon Hunan CRRC International Transport Technology, një filial i kompanisë shtetërore kineze, CRRC Corporation Limited. Kjo e fundit gjendet në listën e zezë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, i cili e konsideron atë si një “degë” të ushtrisë kineze.

Kompania u themelua në vitin 2020, me fokus në zhvillimin dhe prodhimin e zgjidhjeve inovative për transportin urban.

Ajo njihet më së shumti për zhvillimin e sistemit ART (transport i shpejtë autonom), i cili përbëhet nga tramvaje elektrike me rrota gome që lëvizin duke ndjekur shina virtuale.

Kompania mëmë e saj, CRRC Corporation, me seli në Pekin, është prodhuesi më i madh në botë i mjeteve dhe pajisjeve hekurudhore.

Kjo korporatë, në pronësi të shtetit kinez, është nën vëzhgimin e ligjvënësve amerikanë që nga viti 2019.

Atë vit, me një ligj të ri për mbrojtjen, Shtetet e Bashkuara ndaluan përdorimin e fondeve shtetërore për blerjen e automjeteve të reja nga kompanitë kineze që përfitojnë subvencione shtetërore. Kjo masë preku veçanërisht CRRC-në.

Tri vjet më vonë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes e përfshiu kompaninë në listën e kompanive kineze që bashkëpunojnë me ushtrinë, duke ia kufizuar kështu mundësitë për të operuar në tregun amerikan.

Pas rishikimeve të mëvonshme të listës së kompanive të sanksionuara, në vitet 2025 dhe 2026, ajo mbeti në këtë listë.

Gjatë tri viteve të fundit, gjiganti kinez është detyruar të tërhiqet nga dy tenderë në Bullgari dhe Portugali, me vlerë mbi 600 milionë euro. Kjo ndodhi pasi Komisioni Evropian nisi hetime për dyshimet se CRRC-ja përdor subvencionet shtetërore kineze për të ofruar çmime jorealisht të ulëta dhe për të cenuar kështu konkurrencën e drejtë.

Masat u ndërmorën në bazë të Rregullores për Subvencionet e Huaja, e cila i jep Brukselit kompetenca për të penguar kompanitë jashtë BE-së që, me mbështetjen financiare të vendeve të tyre, të nxjerrin jashtë loje ofertuesit vendas në projekte të mëdha infrastrukturore.

CRRC u tërhoq vetë nga tenderi për furnizimin me 20 trena elektrikë në Bullgari, në vitin 2024, ndonëse kishte paraqitur një ofertë pothuajse përgjysmë më të lirë se ajo e konkurrentëve evropianë.

Në Portugali, në vitin 2026, kompania ishte pjesë e një konsorciumi që kishte paraqitur ofertën më të favorshme për ndërtimin e një linje të re të metrosë në Lisbonë. Megjithatë, ajo u detyrua të tërhiqej nga konsorciumi, pasi Brukseli bllokoi nënshkrimin e kontratës.

Në përgjigjen për REL-in, Administrata e Qytetit të Banjallukës nuk u përgjigj ndaj pretendimeve se bëhet fjalë për një kompani kineze që është përjashtuar disa herë nga tenderët në BE dhe që është nën sanksionet amerikane.

Ajo pretendon se bëhet fjalë për një kompani që i “tregton produktet e saj në tregjet e Evropës, Amerikës dhe në mbarë botën”.

A ka Banjalluka hapësirë për një tramvaj?

Administrata e Qytetit të Banjallukës thotë se për realizimin pa probleme të udhëtimeve testuese është i rëndësishëm “bashkëpunimi i të gjitha institucioneve përkatëse”. Ajo paralajmëron se, nëse automjeti do të vendosej përgjithmonë në rrugët e qytetit, do të nevojiteshin ndryshime ligjore.

Inxhinieri i komunikacionit, Nikola Çopiq, i tha REL-it se Banjalluka ka dy dokumente që kanë të bëjnë me strategjinë e transportit publik, por se në asnjërin prej tyre nuk përmendet transporti me tramvaj.

“Atëherë shtrohet pyetja se kush dhe mbi çfarë baze ka marrë vendimin se Banjallukës i nevojitet një tramvaj i tillë. Në bazë të cilit studim dhe cilave të dhëna kemi arritur në përfundimin se na nevojitet një sistem i tillë?”, tha Çopiq.

Ai shton se, pavarësisht zgjidhjeve teknike që ofron ky automjet, mbetet e paqartë se nëpër cilat rrugë të Banjallukës do të mund të lëvizte një automjet 30 metra i gjatë, nëse nuk ka korsi të ndarë fizikisht për të.

“Ne në Banjallukë kemi njëqind mijë automjete motorike të regjistruara për udhëtarë, trafiku është i padurueshëm dhe nuk kemi korsi të ndara fizikisht për transportin publik”, theksoi ai.

Çopiq nënvizon se, para se të merret çfarëdo vendimi për investime kapitale, nëse projekti shkon në atë drejtim, duhet të analizohen nevojat e qytetarëve dhe të jetë ekspertiza profesionale ajo që vendos nëse duhet blerë një automjet i tillë.

“Ne kemi pasur tashmë raste kur jemi përpjekur t’i zgjidhim disa probleme të trafikut në mënyrë të improvizuar dhe kemi shkaktuar edhe më shumë kaos në komunikacion”, paralajmëroi Çopiq.

Deri në luftën e viteve ’90, transportin publik në Banjallukë e ofronte ndërmarrja publike “Autoprevoz”. Pas luftës, një pjesë të shërbimeve e morën përsipër kompanitë private, ndërsa në mesin e viteve 2000 u privatizua edhe “Autoprevoz”.

Sot, qyteti i Banjallukës ka rolin e rregullatorit, i cili përcakton linjat e transportit publik dhe miraton çmimet e biletave.

Transporti publik në Banjallukë kryhet vetëm me autobusë. Qyteti nuk ka tramvaje apo trolejbusë dhe nuk ka pasur asnjëherë të tillë.

Damjan Ozhegoviq nga Transparency International në Bosnje e Hercegovinë rikujton se të gjitha linjat e transportit publik në Banjallukë janë privatizuar.

“Kjo do të thotë se nuk e dimë as se kush do të ofrojë shërbimin, si do të përcaktohet se në cilat linja do të qarkullojë automjeti, cilët operatorë privatë do ta vënë atë në funksion dhe cili është qëllimi përfundimtar”, tha ai.

“Pyetja më e madhe ka të bëjë me vetë arsyeshmërinë e shpenzimit të parasë publike, përveç nëse bëhet fjalë për një reklamë sa më të thjeshtë dhe banale të Administratës së Qytetit, për merita që në fund nuk kanë asnjë bazë”, tha Ozhegoviq për REL-in.

Gjatë muajit shtator, transporti publik i Banjallukës u pajis edhe me automjetet e para testuese nga Hungaria.

Bëhet fjalë për autobusë elektrikë, të cilët do të qarkullojnë nëpër qytet për disa muaj. Pas kësaj, do të merret vendimi nëse ata do të mbeten në qytet apo do të kthehen në Hungari./REL/

The post Banjalluka e Bosnjës në pritje të tramvajit inteligjent nga kompania e sanksionuar kineze appeared first on Gazeta Express.

Original post Here

News
Ngacmoi ish të dashurën, arrestohet një burrë në Podujevë

Një burrë është arrestuar në Podujevë pasi në vazhdimësi kishte ngacmuar ish të dashurën, ka njoftuar Policia e Kosovës. Policia tha se me vendim të prokurorit, ai u dërgua në mbajtje. “Podujevë  09.11.2026 – 09:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në vazhdimësi kishte ngacmuar viktimën femër kosovare, …

News
Jakup Krasniqi sot përfundon vizitën humanitare në Kosovë

Vizita humanitare e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë përfundon sot. Krasniqi pritet të largohet nga shtëpia e tij në lagjen Velania të Prishtinës rreth orës 14:00, ndërsa kthimi i tij në Hagë, me aeroplan special, është paraparë të bëhet në orën 15:00. Qëndrimi i tij në …

News
Real Madridi kërkon fitoren e nëntë radhazi, Celta Vigo udhëton në “Bernabeu”

Real Madridi rikthehet sonte në aksion në La Liga, pas pauzës për ndeshjet e kombëtareve, me synimin për ta vazhduar serinë fantastike të rezultateve pozitive. Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho do të përballet me Celta Vigon, në kuadër të xhiros së 13-të të kampionatit spanjoll. Ndeshja zhvillohet në stadiumin …