
Shkruan: Ndue Ukaj
Në parathënien e gjatë që At Zef Pllumi i shkruan “Lahutës së Malcis” së Gjergj Fishtës, që në fillim të tekstit e analizon atmosferën shqiptare në fillimin e shekullit njëzet, që përkon me ngjarjet që sollën pavarësinë. Pllumi bën këtë pyetje:
“Si gjindjej Shqipnia në atë kohë?”
Pllumi përgjigjet:
“Në kulmin e mjerimit. Jo vetëm që nuk kishte zhvillim ekonomik e kultural, por në shumicën e popullsisë nuk dukeshin kurrkund as ndjenjat e natryrshme njerëzore të lirisë, barazisë e ato kombëtare.
Gjumi letargjik i injorancës ma të mbrapambetun e nënshtrimit shekullor ndaj robinsë e kishin marrakotë krejtësisht kët popull. Tempujt e bukurisë kombëtare e europjane ishin rrafshue për tokë ashtu si dhe kishin dalë nga kujtesa luftat heroike e legjendare që dikur ishin zhvillue për mbrojtjen e lirisë e të nderit kombëtar e të kulturës së lashtë. Pushtuesit e huej kishin synue që me anën e ndërrimit të bindjeve e të ndërgjegjes ta shndronte kët popull jo vetëm në rob të thjeshtë, por ma tepër në nji shërbetuer Besnik e përkrahës të zellshëm në shtypjen e lirisë së popujve tjerë.”
Pra, në vigjilje të pavarësisë kombëtare, atmosfera shoqërore e kulturore e shqiptarëve, në kuptimin e gjithmbarshëm, ishte e mjerë, një dëshmi që e provon edhe panorama e përgjithshme e jetës shqiptare e atyre viteve, që përkon me krejt çka thotë Pllum, duke saktësuar një të vërtetë historike se Perandoria Osmane, shqiptarët i ka lënë në mjerim të thellë.
Megjithatë, gjatë shekujve të rëndë, të një nate të gjatë, mes shqiptarëve kishte jetuar një energji e pashuar atdhetare – drita e lirisë – dhe falë edhe rrethanave të favorshme gjeopolitike, kjo dritë gjeti shtegun për të dalë në sipërfaqe. Pasi ishte formuar lëvizja e madhe mendore e iluministe, me emrin e Rilindja Kombëtare, kjo dritë, si një diell i madh, u shfaq mbi tokat e shkretuara, që ta dëbonte errësirën, më 28 nëntor 1912, ditën kur zgjedha otomane ra dhe shqiptarët u pavarësuan.
Për të realizuar këtë synim, u bënë bashkë shqiptarët të shumë ideve, feve e krahinave. Prandaj, data 28 nëntor, nuk është vetëm një ditë e rëndomtë e historisë, me ç’rast ne kujtojmë shpalljen e pavarësisë kombëtare nga Ismail Qemali e një çetë patriotësh. Ky akt sublim, bartë një domethënie lirie, me të gjitha të mirat që sjell ajo në jetën njerëzore. Kësisoj, ky akt, duhet kuptuar si një moment beatifikimi – një ditë e shenjtë – në kuptimin më të lartë të fjalës, ditë reflektimi, ku shqiptarët, futen ne tempullin e lirisë, shohin vetveten, për rrjedhojë e kuptojnë më mirë historinë e tyre kombëtare, rrëfehen përpara historisë e kërkojnë frymëzim për nxitje të reja.
Ky akt sublim kombëtar, duhet të shërbej, pse jo, si një pasqyrë, për të njohur më mirë vetveten dhe ekzistencën tonë kombëtare, ku, edhe duhet t’i bëjmë bëjmë pyetjet që shpesherë trullosin plot shqiptarë:
Prej kujt u çliruam dhe pse u çliruam?
Dhe sa jetojmë në përkim me ideale e kësaj dite?
Nëse e shfajësojmë sundimin e shekullor otoman, te i cili, patriotët e intelektualët si Faik Konica i kërkonin shkaqet e prapambeturisë sonë, atëherë çfarë kuptimi ka të festojmë 28 nëntorin 1912?
Kur t’iu përgjigjemi këtyre pyetjeve, me ndërgjegje të pastër, atëherë i sqarojmë edhe shumë tema e dilema që lidhen me krizën e sotme identitare, në të cilën shohim plot shqiptarë që i ngatërrojnë heronjtë me tradhtarët, sulltanët me Gjergj Kastriotin e Pjetër Bogdanin, siç ngjet me debatin e fundit për vendosjen e busteve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Pjetër Bogdanit e Adem Jasharit, në Llapushnik.
Pra, Dita Flamurit, në të gjitha kuptimet është ditë e shenjtë e historisë kombëtare, që na thërret, të futemi në tempullin e lirisë dhe të ndërgjegjësohemi përballë detyrave që kemi përpara atdheut dhe lirisë së tij. Po ashtu, kujtimi i kësaj ngjarje, na nxit, të bëjmë një udhëtim nëpër histori, ku takojmë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij të lavdishme, atë 28 nëntor madhështor kur ai ngriti flamurin në Krujë, më 1443, të njëjtin flamur që do të përjetësojë historia, me kthesën e madhe të 28 nëntorit 1912, dhe në fund të shekullit XX, me luftën e UÇK-së. Në këtë ditë, nën tingujt e melodisë së këndshme të lirisë, ne kujtojmë Ismail Qemalin, që na kujton, sa e rëndësishme është të vetëdijesohemi për sfidat që kemi ndaj të sotmes dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes, ndaj lirisë.
Pa vizionin e kësaj dite dhe dritës së lirisë që buroi nga kjo, pakkush do të mund të guxonte ta imagjinonte fatin e shqiptarëve që mbeten jashtë Shqipërisë politike. Thënë më qartë: ishte vizioni i 28 nëntorit 1912, që nuk u fik kurrë në trojet shqiptare. Këtë na kujton Ibrahim Rugova, patriot i kulluar, udhëheqës fisnik e njeri i kulturës, që këtë ditë e quante “Pavarësia kombëtare”, më 28 nëntor 1968. Pra, ishte ky vizion e ky flamur që ushqeu mendjet e zemrat e shqiptarëve, duke nxitë idealin atdhetar, deri në kohët moderne, kur u krijua shteti i dytë shqiptar, Kosova.
Ibrahim Rugova, duke kujtuar këtë ditë thoshte:
“U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar, u ngrit simboli i gjakut-Flamuri.
Mirë që u mashtruan gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit nga gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren-fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shporrëm më tej dhe do të shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur.”
…
Në këtë ditë kremte, për çështje arti e kulture, kam dëshirë ta kujtoj përherë Luigj Gurakuqin, sepse në historinë e politikës shqiptare, të karakterizuar nga ngatërresa e tradhti pafund, nga mendje të cekëta politike, për mendimin tim, ai është prej figurave më të ndritshme, njëmodel shembullor.
Atëbotë kur veproi dhe krijoi Gurakuqi, “Shqipnija ishte një tokë e lanun për pesëqind vjet djerr” – shkruan Gjon Kamsi, një nga njohësit e veprës së Gurakuqit, dhe shton se “ai u ba msues, luftar e ra dëshmori i Atdheut.” Gurakuqi ishte i ndërgjegjshëm deri në pikën e fundit, thjesht, ai ishte “ndera e djelmnisë shkodrane”, shkruan At Gjergj Fishta.
Vetë Gurakuqi e dinte se “mevetësia e Shqipnisë” asht nji e tillë e andërrueme nga vjershtorët e e dëshiruem vetëm nga zemrat e djeguna të disa pak atdhetarëve, që vuenin e dirgjeshin nepër burgjet e errëta e që qanin e rënkonin nepër shkretinat e largëta të dëbuem nga Atdheu i dashun, mvetësija e Shqipnis na dukej të gjithëve si nji dëshir i pa arrijshëm, si një dhuratë tepër e çmueshme për vorfnin t’onë, si nji pemë e ambël, e shijshme, të cilën Perendija u a kishte ndaluem Shqiptarëve të mjerë”.
Ky patriot i madh, udhëheqës fisnik, dhe njeri i kulturës së lartë, duke kujtuar këtë të kremte, na këshillon që krahas gëzimit dhe dëfrimit, prej kësaj ngjarje edhe të mësojmë:
“E Kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra për ne të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vëme të gjithë dorën në zëmër e të pyesim vetën t’onë ndë a kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën qe kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pà turp e t’i njohim fajet t’ona, te harrojmë hidhnimet e anmiqësitë qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njani tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të miren e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderimin e flamurit t’anë.”
…
Pas 114 viteve, në këtë festë flamuri, duhet të bashkohemi rreth zjarrit patriotik, që t’i ngrohim zemrat, jo për ta urryer ndokënd, por për të dashtë vetveten, me të gjitha karakteristikat që kemi. Dhe pse jo, për t’i përpunuar sjelljet e këqija e për t’i ruajt me dashuri shembujt e mirë, që 28 nëntorët e viteve të ardhshëm të jenë më të begatshëm për kombin tonë, duke na gjetur më të unifikuar, më të integruar e më me pak ndasi. Dhe t’iu kujtojmë breznive që vijnë se nuk është turp ta duash vendin tënd, historinë dhe kulturën tënde. Përkundrazi, është vlerë, virtyte dhe shenjë e lartë qytetërimi.
Pse duhet të besojmë në integrimin e shqiptarëve?
Sepse është ideal natyror e fat i pashmangshëm historik, por është filozofi edhe e kohës sonë, parimi real shekullit të kaluar dhe këtij në të cilin jetojmë, i perëndimit. Kjo kohë njihet kohë e integrimeve, ku, kufijtë e ndarjeve, janë kthyer në pika të bashkëpunimit. Mbi këtë parim, që zotëron kudo në zonën euro-atlantike, si vlerë e kohës, për rrjedhojë edhe dobipërurëse, shqiptarët duhet kuptuar përparësitë që sjell integrimi për popujt, në kuptimin e gjithmbarshëm. Mbi këto parime, ata duhet të kërkojnë të integrohen ndërmjet vete. Duke e nënvizura një fakt: integrimet janë vlerë europiane.
Në realitet e reja që janë krijuar, mosintegirmi i shqiptarëve është humbje e një shansi historik.
Sot, është turpi i madh të thuhet se ka forca që i pengojnë shqiptarët në integrimin e tyre. Jam fort i bindur se askush s’i ndalon që ata të bëjnë tekste të përbashkëta në të gjitha fushat e arsimit, të hartojnë politika të përbashkëta në fushën e shëndetësisë, të energjisë, të diplomacisë dhe të ekonomisë.
Ata askush s’i pengon t’i harmonizojnë objektivat dhe synimet kulturore, përveç shpirtngushtësisë, ndonjëherë edhe inferioritetit dhe arrogancës, herë të Tiranës e herë të Prishtinës.
Prandaj, në këto kohë të trazuara globale, të frymëzuar nga Dita e Flamurit, duhet frymëzohemi për ideale të larta e qëllime mirëberësie. Që ta çomë përpara vizionin e Rilindjes, për një rilindje të gjithmbarshme kombëtare, ta përpunojnë shpirtin kombëtar me idealet e Ditës së Flamurit, që kjo ditë feste, siç këshillonte Gurakuqi, të jetë edhe “një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë.”
The post Dita e Flamurit dhe kriza e identitetit kombëtar appeared first on Gazeta Express.